Ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën që njihet si ish Blloku në Tiranë, e që regjistroi një të vrarë dhe tri të plagosur, meriton për shumë arësye një analizë profesionale nga ekspertët e fushës, por edhe një debat shoqëror nga mediat dhe opinion publik.
Nëse për të parën jam i sigurtë see policia, shërbimi sekret dhe ushtria do ta bëjnë sepse e kanë për detyrë nisur nga rrethanat, vendi dhe ajo çfarë përfaqësojnë personazhet e përfshirë në këtë histori. Për të dytën, pra për debatin publik, nuk jam i sigurtë nëse do të ndodhë këtë radhë. Pasi duket që tani, se shumë pak media dhe gazetarë po kërkojnë të përfshihen në të. E mbi të gjitha, nisur nga fakti se debatet përgjithësisht në Shqipëri nuk lindin si nevojë e shoqërisë, por si hall i politikës, për lojërat e saj të ditës.
Megjithatë, debati që mund të zhvillohej në këtë rast, mund të ishte i shumanshëm;
Së pari, një nga temat e debatit mund të ishte ai për sigurinë. Nisur nga fakti se ngjarja ka ndodhur në një nga zonat në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, e cila është jo vetëm shumë e frekuentuar nga rinia kryesisht dhe turistët e huaj, por mbi të gjitha edhe për shkak se është një nga zonat më të survejuara nga kamerat. Rreth e rrotull zonës së ish- Bllokut dhe brenda tij, sipas një eksperti të Policisë së Shtetit, numërohen rreth 1000 kamera sigurie të bizneseve private, institucioneve shtetërore e qeveritare dhe në kryqëzime e përgjatë rrugëve e rrugicave.
Së dyti, tema tjetër e këtij debati mund të jetë ajo për efikasitetin e luftës së strukturave antikrim dhe të sistemit të drejtësisë, ndaj personazheve të njohur të kësaj bote në Shqipëri. Të cilët janë të skeduar, të njohur, të hetuar, gjykuar, etiketuar e të gjurmuar. E nga ana tjetër, nisur nga fakti se sherri nuk ka qenë momental, por i disa ditëve përpara e në të njëjtën zonë, diskutimi mund të shtrihet deri tek puna për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Pyetja e madhe që mund të shtrohej është: Nëse ngjarja mund të ishte evituar, po qe se do të trajtohej seriozisht dhe me profesionalizëm maksimal që në gjenezë të konfliktit?
Së treti, një temë e debatit mund të jetë ajo që ka të bëjë me fenomenin e përfshirjes së pjesëtarëve të forcave të armatosura, në ngjarje të kësaj natyre. Nisur nga fakti se dy prej të dyshuarve janë pjesë e trupave komando, për të cilat shteti dhe shoqëria kanë investuar për çështjen e mbrojtjes së vendit dhe pjesëmarrjes së tyre në misione ndërkombëtare paqeruajtëse apo të luftës kundër terrorizmit. Opinioni publik përveç të tjerash, ndoshta ka nevojë që të mësojë më shumë në këtë rast, sesi shpenzohen taksat e tyre.
Së katërti, një temë tjetër debati mund të jetë ai i natyrës social ekonomike, që lidhet me fenomenin e përcaktimit të një kufiri të qartë mes asaj që do të konsiderohet biznes dhe aktivitet i pastër tregëtar në Shqipëri. E nga ana tjetër, kategoritë që duhet ti nënshtrohen një filtri të imët përpara se të konsiderohen të tillë, pas një procesi verifikimi nga organet e specializuara të antikrimit ekonomik e financiar. Biznesi i ndershëm do ishte shumë i interesuar për këtë temë, besoj.
Së pesti, një debat tjetër i madh, i natyrës kulturore, mund të provokohet nisur nga kjo ngjarje. Një debat që të hedhë dritë ndaj fenomeneve të reja që po e shoqërojnë jetën e rinisë shqiptare. Duke nisur nga raporti me famën, paranë, të etiketuarit VIP, cilësinë e produkteve artistike e deri tek mënyra e funksionimit sot të biznesit të artit, muzikës, show bizit dhe mediave që i bëjnë jehonë atyre.
Kurrë nuk e kam parë kohët e fundit median shqiptare, kaq të urtë, pa zë, më të heshtur dhe më të butë se në orët pas kësaj masakre në Tiranë. Shenjë e sigurtë, se thirrja ime për debatin që duhet të provokojë kjo ngjarje në ish- Bllok, do të bjerë në vesh të shurdhër. E kjo është një arësye më shumë, për një debat real akoma edhe më të madh, sot në Shqipëri. Apo jo?!


