• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 17 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

17 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
ALFRED PEZA/ Çelja e negociatave me BE dhe dita kur Shqipëria do të bëhet!
Home
OP-ED

ALFRED PEZA/ Çelja e negociatave me BE dhe dita kur Shqipëria do të bëhet!

26 June, 2018 Redaktor1 OP-ED

Lajmi se policia shqiptare kapi mbi 3.3 milionë euro dhe 80 mijë franga zvicerane në Portin e Durrësit, ishte sa I paralajmëruar, aq edhe i papritur në prag të vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sa i bujshëm, aq edhe shokues, por edhe polemizues dhe që me siguri ka aq shumë lëndë për intrigë, politikë, polemikë dhe teori konspirative, sa duket se e ka stofin për të qenë seriali i ri i një telenovele të vjetër. I një telenovele me skenar të ri, me vende dhe histori të re, por me të njëjtët aktorë dhe me regjisorë të vjetër. Është telenovela e politikës shqiptare, që është gati të prodhojë intriga, të cilat do të bënin të skuqej edhe Shekspiri vetë, po të ishte gjallë. Por që nuk prodhon dot, atë për të cilën është votuar nga qytetarët shqiptarë: Alternativa, programe dhe projekte zhvillimi e qeverisëse.

Çfarë ka ndodhur

Mediat raportuan se sasia e padëgjuar e parave të sekuestruara ndonjëherë nga policia shqiptare, u gjend në brendësi të një automjeti tip “Toyota Yaris”, i nisur nga Belgjika mbi një transportues, së bashku me 7 makina të tjera dhe përmes Italisë ishte imbarkuar në tragetin e linjës Bari-Durrës. Kontrollet e ushtruara në port çuan në zbulimin e sasisë tjetër, në një makinë të dytë. Katër persona përfunduan në pranga, Agim Çeka, shoferi i mjetit që transportonte autoveturat; Klevi Lika, pronar i kompanisë që kryente transportin e mjeteve, së bashku me babin e tij Edi Lika; si dhe Alban Mullaomeri, i cili rezulton të ketë kontraktuar kompaninë për transportin e autoveturave. Ndërkohë, dy persona të tjerë, të cilët sipas policisë janë porositësit e mallit, u shpallën në kërkim.

Paratë, fillimisht u thanë se ishin false dhe se ishin porositur nga një tregtar në Kosovë. Por shumë shpejt çështja u sqarua dhe u mësua nga policia se Banka e Shqipërisë konfirmoi që paratë ishin të gjitha të vërteta dhe madje, gjatë numërimit të tyre nëpër makineritë e posaçme, asnjëra nga kartëmonedhat nuk rezultoi që të ishte false. E nga ana tjetër, porositësit ishin nga Shqipëria dhe të gjithë të implikuarit ishin me origjinë nga Tirana e Peshkopia.

Ku u fol për herë të parë

Siç edhe ndodh gjithmonë në të tilla raste në Shqipëri, mbi këtë ngjarje ka nisur një debat politik. Gjithçka e ka zanafillën nga deklarimet në sallën e parlamentit të enjten e kaluar, nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke reaguar ndaj socialistëve, të cilët nisën të qeshnin me fjalën e tij. Kryetari i PD-së iu drejtua kreut të grupit socialist, Taulant Balla, duke thënë se “njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një makinë “Toyota Yaris”, por ta kanë zbuluar Tojotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda”.

Kjo deklaratë nuk u mor seriozisht nga mediat, të cilat e kaluan atë nëpër rreshta, ose e injoruan. Ndërkohë që kaluan disa ditë dhe vetëm pasi doli lajmi, deklaratat u rinxorën për t’u botuar dhe transmetuar për herë të parë të plota.

Çfarë tha policia

Sipas policisë, njoftimin e parë për një mjet, “që pritej të transportonte disa autovetura dhe mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit”, ajo e kishte marrë nga burimet e saj të mërkurën më datë 20 qershor.

Ndërsa pasditen e së enjtes, vetëm pasi zoti Basha kishte bërë deklaratën e tij “tymuese” në parlament, “një agjenci ligjzbatuese shqiptare (thuhet se bëhet fjalë për Shërbimin Informativ Shtetëror shqiptar, SHISH) në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajner, që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara”.

Po pas zbulimit të 3.4 milionë eurove?

Edhe pasi Policia e Shtetit doli me njoftim zyrtar duke dhënë edhe sqarimin që duket se nxjerr zbuluar shërbimin sekret shqiptar, kryetari i opozitës shqiptare iu përmbajt deklaratës të së enjtes, se paratë ishin të lidhura me Taulant Ballën. Sipas tij, “paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës, aktive kryesisht në zonën e Elbasanit, por edhe të gjithë Shqipërisë. E dyta, Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave pa problem në Shqipëri”, – vijoi Basha. “E treta, policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar. Është një nga vendet partnere, i cili është skeptik përsa u përket kushteve të Shqipërisë për integrimin në veçanti kundër krimit dhe korrupsionit”.

Zoti Balla reagoi përmes një statusi në Facebook, duke hedhur poshtë akuzat, që sipas tij janë pjesë e gënjeshtrave të përditshme të kryetarit demokrat.

Ç’do të ndodhë më pas?

Pavarësisht përfundimeve që do të nxjerrin organet e hetimit, pavarësisht se Policia e Shtetit nxori emra konkretë personazhesh të implikuar, pavarësisht se disa prej tyre janë arrestuar e të tjerë në kërkim, pavarësisht se kjo çështje pas disa muajsh do përfundojë së hetuari e më pas së gjykuari, politika nuk ka ndërmend të ndalet me akuza të ndërsjella për implikim të njërit apo tjetrit krah politik. Të njërës, apo tjetrës parti politike. Të njërit, apo tjetrit politikan të lartë.

Në fund të fundit, pak rëndësi mesa duket ka e vërteta e vërtetë. Më e rëndësishme se të gjitha këto, duket se është vetëm një për klasën tonë politike: Zhurma gjithçka, brendia asgjë. Pra, mbajtja e sallës së madhe me emrin “Shqipëri”, të mbërthyer përpara perdes së kinemasë, mbi të cilën klasa jonë politike, projekton të shfaqë seritë e televovelës së radhës.

Përpara telenovelës me miliona e miliona euro të ngarkuara në “Toyotat Yaris”, ishte telenovela e Babales, ose e Albert Veliut të Vlorës që u vetëofrua për të implikuar në një trafik të supozuar droge, vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. E gjitha përfundoi në një flluskë të madhe dhe në një bllof inskenimi të turpshëm, e cila po hetohet nga Prokuroria dhe dosja thuhet se është drejt përfundimit për të ngritur zyrtarisht akuza ndaj atyre që e realizuan. Përpara Babales ishte çështja e 613 kilogramëve kokainë, të kapur gjithashtu pasi ngarkesa brenda një trajleri me banane kaloi nga Porti I Durrësit, e kështu me radhë.

Në të gjitha rastet, në skenë del politika. E cila nga përpjekja, nga nevoja jetike, nga mënyra dhe filozofia e funksionimit të saj në Shqipëri, politizon çdo gjë, akuzon çdokënd, përflet gjithçka dhe dekonspiron çdo informacion që merr për shkak se institucionet tona ligjzbatuese, edhe pas 27 vjetësh, vazhdojnë të jenë të politizuara dhe të mbushura me njerëz që për të bërë nesër karrierë, janë gati sot që t’u shërbejnë shefave të tyre të ardhshëm, duke shkelur mbi profesionalizmin, shtetin ligjor dhe mbi çdo normë bazë të sekretit dhe diskrecionit, e detyrueshme për çdo agjenci ligjzbatuese dhe për çdo person që është pjesë e saj.

Pa u prerë të gjitha fijet politike të atyre që paguhen si profesionistë shtetërorë, pa u pastruar çdo qelizë e shtetit nga militantët dhe shërbëtorët e zellshëm e qorra të politikës, asnjëherë Shqipëria nuk do të mund të bëhet dot një shtet serioz, i besueshëm dhe funksional në shërbim të së vërtetës, të së drejtës dhe qytetarëve.  AFP

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PËLLUMB KULLA/ Erë e mbarë për Teatrin Kombëtar
Previous article RUSI 2018/ Kore e Jugut-Gjermani, ndeshja që mund të vendoset nga një penallti

Redaktor1

Postime të ngjashme

Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec OP-ED

Artur Shehu dhe zinxhiri i pronave në Zvërnec

Lamtumirë heroi ynë! OP-ED

Lamtumirë heroi ynë!

Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së? OP-ED

Ku dhe përse janë dislokuar ne Europë trupat e SHBA-së?

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT