Publikimi i fashikujve të dosjes së çështjes së bujshme të audiopërgjimit mes Albert Veliut, i njohur tashmë me nofkën “Babalja” dhe “Agronit”, që presupozohej fillimisht se ishte vëllai i ministrit të Brendshëm, ka vërtetuar zyrtarisht atë që përflitej prej kohësh edhe publikisht: Faktin se rolin e vëllait të ministrit Xhafaj e ka luajtur një aktor, i cili në realitet është kunati i “Babales”, Fredi Alizoti dhe se për këtë inskenim me qëllime përfitimi politik nga opozita, janë premtuar që do u paguhen protagonsitëve, plot 200 mijë euro.
Pas kësaj, mbetet për tu mësuar se kush ishte personi që do ti paguante këto para, çfarë përfaqëson ai dhe se deri ku shkon implikimi i drejtpërdrejtë ose jo, i lidershipit të PD në këtë histori. Sepse në fund të fundit, ishte opozita ajo që i doli jo vetëm për zot këtij “skandali”, por ajo mobilizoi si kurrë më parë gjithë makinerinë e saj propagandistike, për ta shndërruar atë në një kauzë politike, e cila në fund të fundit dihet se synon në mos rrëzimin e qeverisë, dëmtimin e saj makismal.
Përtej kuriozitetit normal njerëzor dhe gallatës me të cilën po përcillet fakti se bëhet fjalë për një “film” me metrazh minimalist prej vetëm 2 minutash (biseda e parë zgjat 14 sekonda dhe e dyta 1 minutë e 46 sekondash) më e rëndësishme se të gjitha këto, apo edhe rromuze të tjera që nuk do të mungojnë me sa duket, është diçka krejt tjetër. E rëndësishmja është që ti shkohet deri në fund kësaj çështje nga ana e drejtësisë, në mënyrë që protagonistët të marin ligjërisht atë që u takon.
Në këtë rast, as kjo nuk mjafton. Sepse duke qenë një çështje aq shumë e debatuar publikisht, mediatikisht dhe politikisht, madje gati gati duke u tentuar që të trajtohej edhe ndërkombëtarisht, ajo meriton një analizë më shumë sesa thjeshtë dhe vetëm si një dosje e radhës, apo thjeshtë si një çështje drejtësie dhe aq. Më shumë se të gjitha këto, çështja e “Babales” meriton që të trajtohet si një çështje demokracie. Si një çështje e e sistemit politik dhe mënyrës së funksionimit të saj në Shqipëri. Një çështje kyçe, vitale dhe thelbësore për rendin tonë demokratik, nga e cila varet e sotmja dhe e ardhmja e e këtij vendi.
Nga mënyra e trajtimit dhe e qasjes sonë ndaj kësaj çështje, varet as më pak e as më shumë por vetë cilësia e opozitës sonë, e cila presupozohet se është aseti dhe garancia më e madhe e funksionimit demokratik të vendit. Alternativa reale e pushtetit të nesërm, që presupozohet që të jetë edhe më i mirë se i sotmi. Ndaj “Babalja” nuk duhet parë e aq më pak të trajtohet, thjeshtë dhe vetëm si një telenovelë me aktorë realë, as si gallata e radhës, e aq më pak si një lojë nga ato ku për të kaluar kohën, vriten rëndom kundërshtarët në PlayStation.
“Babalja” është një mundësi e madh për çdo qytetar në radhë të parë, për të parë gjithçka nuk është e përbashkët me qasjen e tyre në jetën dhe përditshmërinë e këtij vendi.
“Babalja” është një pasqyrë e madhe për çdo media, për të parë atë që nuk u menaxhua profesionalisht ashtu siç duhet gjatë kohës që çështja konsumohej publikisht nëpërmjet tyre. E për të nxjerrë nga përvoja e saj, mësimet profesionale për trajtimin e ngjarjeve të tilla apo të ngjashme me të, në një optikë ku askush mos ndihet më i vëtpërdorur në mënyrë të pavullnetshme.
“Babalja” është një dosje që mund të shërbejë si një kazus për të gjitha tekstet e jurispudencës, ato të politikës, medias po e po, por edhe për këdo tjetër që kërkon të mësojë se si nuk mund të manipulohet dot opinioni publik, se si nuk mund të përfitosh dot politikisht dhe se si nuk mund të merret dot pushteti, në një sistem demokratik.
“Babalja” është një shans i madh për mazhorancën, për të mos rënë në kurthe që edhe nëse nuk e dëmtojnë dot atë në thelb nga ana elektorale, e frenojnë dhe e shfokusojnë, duke ulur ritmin e punëve dhe ngadalësuar dinamikën e realizimit të angazhimeve publike dhe programit qeverisës.
“Babalja” mbi të gjitha, është një mundësi e madhe, e jashtëzakonshme dhe ndoshta e fundit, për të shpëtuar opozitën vetë, nga iluzioni i madh dhe qasja e saj totalisht e gabuar, se pushteti mund të meret në tavolinë. Nëse do ishte kaq e thjeshtë, “Babalja” nuk kishte pse e realizonte filmin e tij, për llogari të opozitës. I fuste një të marë vetë pushtetit dhe e dinte vetë ai pastaj, sesi ti ndante lekët me bashkëpunëtorët. E nuk do të dergjej qelive tani, jo vetëm si aktor, por edhe si një gjobvënës i rëndomtë dhe i dështuar.