Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për përjashtimin nga procesi i vettingut të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Adriatik Llalla, është konsideruar nga avokati i tij, Sokol Hazizaj, si lajmi i pari i mirë i prodhuar nga reforma në drejtësi. Ndërkohë që, për shumicën e qytetarëve të cilët shpërthyen menjëherë një furtunë komentesh në rrjetet sociale, ky moment shënoi fiaskon e parë të madhe të kësaj reforme.
Pavarësisht humoreve të kundërta mes palëve, e vërteta qëndron diku në mes. Sepse reforma në drejtësi në rastin e Adriatik Llallës, ka prodhuar deri tani, një lajm të keq dhe një lajm të mirë për qytetarët, të cilët presin të shohin në rrjetën e drejtësisë së re, gjithë peshqit e mëdhenj që e katandisën këtë pushtet kaq shumë jetik për njerëzit dhe për shtetin, në pikën e vet më të ulët historike të besueshmërisë.
Lajmi i keq është se, Adriatik Llalla duke qenë një simbol jo vetëm i asaj që Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar si zyrtar të përfshirë në raste të mëdha korrupsioni në detyrë, gjatë kohës që ishte Prokurori i Përgjithshëm, por edhe i një nëpunësi tipik shqiptar që e ka parë kolltukun thjeshtë dhe vetëm si një “lopë” për ta mjelë, pa e vrarë asnjëherë mendjen për ta ushqyer dhe mirëtrajtuar atë në funksion të së mirës publike.
Historia e Adriatik Llallës është tipike e shumë e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë të tranzicionit, që bënë gjithçka tjetër veç detyrës për të cilën janë paguar me taksat e qytetarëve të këtij vendi. Duke i vendosur institucionet që kanë drejtuar, vetëm në funksion të përfitimeve personale e familjare, me çmimin e vetëpërdorimit nga politika, nga krimi i organizuar, antishteti dhe antiligji. Duke investuar në këtë mënyrë si askush tjetër, në kalcifikimin e kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe ngritjes së saj në sistem.
Ishte kjo arsyeja se, përse Adriatik Llalla dhe shumë të tjerë si ai që u bënë simbolet e të keqes, iu kundërvunë hapur dhe me arrogancën e të pushtetshmëve që ndiheshin të përjetshëm, reformës në drejtësi dhe arkitektëve të hartimit, miratimit dhe implementimit të saj në Shqipëri: SHBA-së dhe BE-së. Sepse, bashkë me reformën e re, ata humbitnin të gjitha privilegjet e vjetra dhe dilnin jashtë sistemit që bënte çdo gjë, përveçse kurrë nuk dha drejtësi të drejtë për qytetarin dhe nuk i futi kurrë frikën fajtorëve të vërtetë, por veç ndëshkoi të pafajshmit, të dobëtit dhe të varfrit.
Adriatik Llalla për shkak të mbështetjes së fuqishme të politikës që e emëroi dhe e mbante në detyrë, arriti deri atje sa i shpalli luftë të paprecedentë aleatëve strategjikë të Shqipërisë, duke e shitur të gjithën këtë si “rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Largimi i tij më 18 dhjetor 2017, për shkak të përfundimit të mandatit të parë si Kryeprokuror nga ana e Parlamentit, i hapi rrugën në praktikë fillimit të zbatimit të reformës së re në drejtësi.
Pas kësaj, kur Sekretari Amerikan i Shtetit publikoi vendimin që i ndalonte atij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve, hyrjen në SHBA, kuptoi se kishte nisur numërimi mbrapsht për të dhe për të gjithë si ai, që pritej të ishin edhe viktimat e para të sistemit të vjetër të drejtësisë. Ata duhet të paguajnë një ditë, çmimin e bëmave të tyre në kurriz të detyrës, besimit të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës. Ka qenë ky moment kur, Adriatik Llalla firmosi aktin e dorëheqjes nga sistemi i drejtësisë, për të mos përfituar nga e drejta formale për tu bërë pas largimit si Kryeprokuror – bazuar në Ligjin “Për Prokurorinë” – anëtar i Gjykatës së Apelit.
Por meraku i tij kryesor nuk ishte këtu. Halli kryesor ishte që ai t’i shpëtonte hetimit administrativ. Një proces që quhet vetting dhe që kontrollon pasuritë, pastërtinë e figurës dhe integritetin profesional. Siç rezultoi më pas nga investigimet e medias, pas dorëheqjes, ai i kishte bërë gati planet për tu larguar nga jurispudenca, e për të filluar një jetë të re. Një jetë mes miliardash të vendosura përmes operacionesh të errëta financiare, përmes shitblerjes së një numri të pafund pronash të patundshme dhe me ëndrrën për tu bërë fermer në periferinë jugore të Tiranës, ku kishte blerë pothuajse një fshat të tërë, me mijëra e mijëra metra katrorë tokë.
Ndaj, për ta realizuar këtë, atij i duhej ta gëzonte më parë pasurinë e vendosur befas, gjatë periudhës kur ishte Kryeprokuror i Republikës së Shqipërisë, përmes transaksionesh me vrasës e kriminelë, me njerëz të dyshimtë dhe biznesmenë që figurojnë kudo pranë tij, ku ai ka drejtuar institucionet e larta të shtetit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose shkalla e parë e vettingut, për shkak të aktit të dorëheqjes së tij, vendosi ta përjashtojë Adriatik Llallën nga filtri ku po kalojnë rreth 800 gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të vjetër të drejtësisë.
Edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit e mbështeti këtë vendim, duke e përjashtuar Adriatik Llallën nga vettingu, por duke saktësuar se ai nuk mund të rikthehet dot më kurrë në 15 vitet e ardhshme pas kësaj, në sistemin e drejtësisë, por as në detyrat dhe funksionet e larta të saj. Ky ishte një lajm i keq për qytetarët që besojnë aq shumë te reforma në drejtësi. Lajmi i mirë është se, Adriatik Llalla dhe të gjithë të tjerët që pritet të ndjekin rrugën e tij për t’i shpëtuar vettingut, nëpërmjet procedurave administrative, nuk mund t’i shpëtojnë dot një hetimi tjetër, më të rreptë dhe me pasoja më të rënda: hetimit penal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi mori për kompetencë dosjen penale të hetimeve në ngarkim të tij nga Prokuroria e Durrësit, është duke i dhënë dorën e fundit provave dhe fakteve në dosjen me nr. 447, që mban mbi kapakët e saj emrin e Adriatik Llallës. Janë katër akuza të rënda që rëndojnë mbi ish-Kryeprokurorin e Republikës, duke nisur nga pastrimi i parave të pista, fshehja dhe mosdeklarimi i pasurive dhe deri te nxjerrja jashtë kufijve të Shqipërisë të shumave të mëdha financiare, mbi limitin e lejuar me ligj.
Morali i asaj çfarë po ndodh në rastin e Adriatik Llallës, pasi u përjashtua nga vettingu, është: Drejtësia e re vonon…, por nuk harron! Ish-Kryeprokurori e di tashmë këtë, ndaj ka mbetur i vetëm duke u endur rrugëve të botës, me shpresën se largësia do t’ia lehtësojë sadopak dhimbjen e kyçeve, mbi të cilat ai ka nisur të ndjejë shtrëngimin e prangave!
(AFP.al)