Megjithëse jemi ende në mesin e 2018, të gjitha indikacionet dhe parashikimet e deritanishme, tregojnë se ky do të jetë viti i boom-it të madh e të shumëpritur, në industrinë e turizmit shqiptar. Këtë e tregojnë shifrat e hyrje- daljeve në kufijtë ajrorë, detarë e tokësorë të vendit.
E thonë këtë shifrat e prenotimeve nëpër agjensi e operatorët turistikë. Nëpër hotele, resorte dhe mikpritësit e tjerë, deri tek ata familjarë.
E thonë këtë statistikat e INSTAT. E thonë shifrat e sistemit TIMS. E thotë numri i kroçerave dhe jahteve që kanë ardhur apo që kanë njoftuar se do të hyjnë e dalin nëpër portet tona. E thotë numri i çarterave që janë ulur e pritet të ulen në aeroport.
E thonë mediat ndërkombëtare. E thonë agjensitë e specializuara të turizmit botëror. E thotë numri I paparë i kërkesave për leje ndërtimi hotelesh dhe resortesh të rinj turistike nëpër qytetet kryesore dhe përgjatë vijës bregdetare në Shqipëri.
Deri këtu, çdo gjë duket krejt normale. Sepse kjo pritshmëri ka kohë që po përgatitet. Për këtë është punuar prej vitesh, prej muajsh dhe prej javësh nga të gjithë operatorët dhe kushdo tjetër që ka investuar apo punon direkt ose indirekt në industrinë e turizmit.
Ky boom sasior në turizëm, kërkon edhe një boom cilësor në organizim, menaxhim, koordinim, administrim, furnizim, në pastërti, qetësi, infrastrukturë, alternativa argëtimi dhe në cilësinë e shërbimit të çdo pushuesi të huaj e vendas, në mënyrë që pritshmëritë e tyre të mëdha, të mos zhgënjehen.
Vetëm kështu do ia dalim që në vitet e ardhshme, ta ruajmë këtë tendencë rritëse të kërkesës, nga turistët e huaj sidomos. Ta ruajmë këtë trend, hov dhe boom të ardhje së turistëve. Në mënyrë që të gjitha pritshmëritë e tyre të përmbushen, derisa stinë pas stine e vit pas viti, edhe Shqipëria të bëhet pjesë “natyrore” e ofertës dhe kërkesës së industrisë turistike të rajonit dhe të Mesdheut.
Ka kaluar vetëm java e parë e korrikut, që konsiderohet një nga dy muajt kulmor të turizmit bregdetar sëbashku me gushtin dhe që tani, janë evidentuar disa nga problemet e para.
Pastërtia në disa zona të vijës bregdetare, ashtu sikundër edhe vitet e shkuara kur nuk ishte kjo dyndje drejt Shqipërisë, lë diku shumë dhe diku tjetër, thjeshtë për të dëshiruar.
Në disa nga segmentet rrugore që të çojnë nga qendrat urbane drejt destinacioneve turistike, radhët e gjata të trafikut rrugor sidomos në disa orë e ditë të caktuara, janë rikthyer përsëri.
Për shkak të një ngjarje të rëndë, që ka ndodhur të shtunën duke zbardhur e diela, në një nga diskot më me emër në bregdetin e Dhërmiut, është rikthyer shqetësimi për çështjen e sigurisë dhe të qetësisë së pushuesve. Vetëm fati ndoshta e deshi që të shtënat e dala nga një armë zjarri, në një ambjent ku argëtohen qindra vetë, të mos shkaktonin një tragjedi njerëzore.
Ndërkohë që mediat, vetëm në dy ditët e kësaj fundjave kanë raportuar për disa persona që kanë humbur jetën në ujërat e detit dhe disa të tjerë që kanë shpëtuar mrekullisht, falë kryesisht fatit. Duke rritur shqetësimin për sigurinë e jetës së pushuesve, për shtimin e masave të parandalimit, të forcave të shpëtimit dhe dhënies së ndihmës së shpejtë. Një nevojë urgjente, në formën e një problemi të pazgjidhur e të bartur prej vitesh, që sjell pasoja në jetët njerëzore, kryesisht ndër fëmijët, të moshuarit dhe turistët e huaj që nuk e njohin strukturën e ujërave detarë të plazheve tona.
Këto dhe shumë probleme të tjera, më të mëdha e më të vogla, kanë nevojë urgjente për zgjidhje nëpërmjet masave parandaluese. Por, edhe nëpërmjet një bashkëpunimi me efikas mes strukturave të specializuara shtetërore, pushtetit qëndror e lokal, në bashkërendim me operatorët turistikë privatë.
Shqipëria nuk është një vend i përsosur, për tu bërë kryeqendra e turizmit botëror, sigurisht. Madje as që e kemi pretenduar ndonjëherë këtë. Por, ne mund të jemi një alternativë e mrekullueshme për një fashë të caktuar turistësh nga Europa veriore e qëndrore kryesisht, por edhe nga disa shtete të Azisë. Një destinacion turistik normal, me destinacione dhe atraksione kryesisht natyrore e të trashëgimisë dhe me një ekuilibër sa më të pranueshëm, mes cilësisë dhe sasisë së shërbimit të ofruar dhe çmimeve të paguara.
Ajo për të cilën kemi vuajtur më shumë deri më sot, për të arritur tek ky boom i pritshëm i turizmit të 2018, ka qenë pikërisht imazhi. Sepse nëse ka diçka për të cilën shqiptarët dhe Shqipëria ka paguar shpeshherë një çmim deri diku të pamerituar, është çmimi i imazhit negativ që na ka përndjekur gjithë këto vite. Një imazh të cilin të gjithë bashkë, kemi në dorë ose ta ndryshojmë njëherë e përgjithmonë pozitivisht, ose tia lemë sërisht në dorë rastësisë që të flasi për ne.
Imazhi është një çështje shumë e rëndësishme për një vend që kërkon të mbahet nga të ardhurat e turizmit. Nga kjo do të varet më pas, nëse ky boom i kësaj industrie, do të vijojë tendencën rritëse pa u ndalur edhe në vitet në vijim. Apo do të “kapim çtë kapim” këtë vit, dhe më pas do të vazhdojmë të zvarritemi, si deri më sot.