Nga Alfred PEZA
“Dimri po vjen”. Në të dyja oborret, si në atë të mbajtsit të “Fronit të Shpatave” ashtu edhe në anën e “5 Mbretërve sfidues”, shtabet jo vetëm e kishin përcaktuar në harta e letra strategjinë e luftës, por edhe e kishin ndarë mendjen përfundimisht, se nuk do të kishte më kthim pas.
Një nga të parat gjëra që nisi të bëhej me shpejtësi rrufe, si gjithmonë përpara çdo lufte, ishte ndarja si me “shpatën e dragoit”, e opinionit publik. Sepse në paqe mund të bësh çfarë të duas. Por kurrësesi në luftë. Askush nuk mund të qëndrojë neutral përpara “Luftës së Madhe”. Ke vetëm dy alternative: Ose do jesh me ne, ose do të jesh kundra nesh. O do jesh me ata, ose do të jesh kundër tyre.
Lajmësit, analistët, komentatorët, opinionbërësit dhe kushdo tjetër që kishte akses, apo sadopak ndikim në opinionin publik, rreshtohen të parët në të tilla raste. “Ujqit” më të vjetër ose “veteranët”, kishin kohë që ishin qartësuar se më kë do të ishin këtë radhë. E kishin më kollaj nga të gjithë. E dinin se kur në rrugë nis e vjen era e gjakut, ngrije stekën sa më lart tek pala që e ka hallin më të madh dhe thesi poshtë, mbushej vetë. Kishte mbetur ende ndonjë, që e bënte thjeshtë për ti mbushur mendjen vetes, se nuk kishte dalë akoma nga xhiroja.
Në kampin e mbajtësit të “Fronit të Shpatave”, kishin vetëm një pishman. Pse nuk e kishin përfunduar këtë luftë, atëherë kur edhe fundi ishte i ditur; më 1997. Ndryshe nga kombet e qytetëruara, si Franca, Britania, Italia, etj ku mbretër e diktatorë kishin lënë kokat në gijotinë, ky vend nuk e kishte kaluar në historinë e vet, atë që njihet si “akti i atvrasjes”.
“Ju kërkoj të gjithëve falje që nuk e vrava para disa vitesh, atëherë kur duhej”, kishte psherëtirë në një nga takimet e pafund të atyre ditëve, “Kryearkitekti”. E nxorri atë psherëtimë nga zgavra më e humbur e stomakut. Pa e ditur sërisht, se thjeshtë kishte “shpikur”, një tjetër nga frazat e famshme të “Game of Thrones”.
Meqë nuk jemi nga ato kombe që bëjmë “atvrasja”, sepse i adhurojmë liderët tanë si perëndi, të paktën mos i pengojmë këtë radhë kundërshtarët tanë, që të bëjnë “atvetvrasjen” e nisur”,- përshpëriti si gjithmonë me një zë të pasigurtë, njëri nga bashkëpunëtorët e “Kryearkitektit”.
Ai fliste rrallë, por kur e hapte gojën, kishte dëshirë të fliste diçka që e kish formuluar gjatë. “Smund të presësh më shumë nga shqiptarët, për aq kohë sa vetëm tre herë kanë derdhur gjak për lirinë e tyre: Në kohën e Skënderbeut. Në Luftën e II Botërore dhe nga UÇK më 1999.”
Ne jemi popull krenar. Ndaj nuk e bëjmë kurrë në shtëpinë tonë, në rrugicën, lagjen, fshatin dhe qytetin tonë, atë punë që e bëjmë me një zell të pashoqe, kudo gjetkë nëpër botë. Ditën që zhvilloheshin këto biseda vetfshikulluese, tipike për mjediset e elitës shqiptare, “Strategu” e kishte mbyllur me një frazë të sagës epike: “Mos vdis për krenarinë tënde, kur nuk lufton dot për gjakun tënd”.
Mëkëmbësi i “Zotiti tonë mbi tokë” dhe aleatët e tjerë të mëdhenj, prejt kufijve të “Mbretërisë shqiptare të Perëndimit”, ishin bërë për herë të parë të gjithë bashkë. Sapo “5 Mbretërit sfidues” u zbulua se po kërkonin që ta grisnin paktin e votuar për Reformën në Drejtësi, “vija e kuqe” për ta konsiderohej e shkelur.
Kjo favorizonte si kurrë më parë, Edi Ramën. Ai kishte jo vetëm hirin e fatit mbi supe, por edhe Zotat dhe erën në favorin e tij. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur, ajo që donin “5 Mbretërit sfidantë”:
Dorëzimi i kurorës! Por, as “Fronmbajtësi…” i “Botës shqiptare në Ballkan”, nuk kishte patur kurrë më parë kaq shumë letra në favorin e tij, si në këtë të fundmen lojë.
Kur kishte kërkuar garancinë e fundit, “Fronmbajtësi” e kishte pyetur në kofidencë Mëkëmbësin e “Zotit tonë mbi tokë”. E ai i kishte dhënë përgjigjen, që për Edi Ramën ishte e barasvlefshme me vendosjen e tij përfundimtare në situatën “win win”: “Oh, mos u shqetëso. Zotat nuk e kanë problem. Ata derdhin më shumë gjak se ne njerëzit”!
E ndërsa shihte me sytë e mendjes ferrin e “Luftës së Madhe” që i priste tashmë armiqtë e tij, Edi Rama mendoi për “6 Mbretërit” e tjerë: “Ju jeni burra të vegjël. Askush nga ju nuk ka lindur për të udhëhequr në këtë vend. Por unë po. Dhe kështu do bëj”!
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
Sezoni 3, Episodi 1/ E MËRKURË, 22 MAJ 2019
(Vijon nga 1 maj)