Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme kurorën e gjelbër të Sarandës, në zonën e mbjellë me pisha pranë Manastirit të 40 Shenjtorëve.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në zonën me bimësi të dendur, ndërsa situata paraqet rrezik për disa ndërtesa që ndodhen pranë vatrës së zjarrit. Sipas raportimeve, flakët janë afruar edhe pranë banesave dhe hoteleve në zonë.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve. Ndërhyrja po vështirësohet nga terreni i thyer, ku mjetet zjarrfikëse nuk mund të aksesojnë lehtësisht zonën. Për këtë arsye është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.
Deri në këto momente nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme të konfirmuara në ndërtesat pranë. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa situata po monitorohet nga ekipet në terren.


