Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, siguron se negociatat për anëtarësimin në BE do të hapen gjatë 6 muajve të ardhshme me kusht zbatimin e reformës në drejtësi dhe plotësimin e 5 prioriteteve të vendosura.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “TemA”, eurodeputeti garanton se nuk ka standard të dyfishtë mbi anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë ishin raste të jashtëzakonshme që nuk mund të përsëriten.
I pyetur mbi akuzat e deputetëve të opozitës drejtuar përfaqësuesve të lartë të BE-së në Tiranë dhe konkretisht ambasadores Romana Vlahutin, Fleckenstein nuk pranon të jape një koment duke i konsideruar ato si absurde dhe jo të justifikuara.
Ndërkohë, sa i përket çështjes “Tahiri”, ai shprehet se tashmë hetimet janë të mundshme duke shtuar se nuk i takon atij për të dhënë një gjykim mbi to.
Më tej, eurodeputeti u ndal edhe tek çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku mendon se është koha e duhur për heqjen e tyre dhe se pajisja me pasaportë shqiptare do të krijonte probleme për vendin tone.
-Disa deputetë opozitarë kanë hedhur akuza të forta ndaj përfaqësuesve të lartë të BE-së në Tiranë dhe konkretisht ambasadores Romana Vlahutin duke thënë se ka heshtur për mbjelljen e kanabisit dhe krimin e organizuar në vend, duke u bërë shpesh herë palë me qeverisjen “Rama”. Keni ndonjë koment për këtë?
Nuk do të komentoj asnjë absurditet. Kjo është thjesht e gabuar dhe e pajustifikuar.
-Mali i Zi dhe Serbia kanë çelur negociatat dhe janë duke bërë progres drejt anëtarësimit në BE. Sipas jush, ku po “stonon” qeveria “Rama” dhe çfarë duhet të bëjë më tepër për t’ju afruar familjes Evropiane?
Për shkak të punës së mirë të qeverisë si edhe parlamentit, unë jam i sigurt se negociatat do të fillojnë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Theksoj me kusht zbatimin efektiv të reformës në drejtësisë si dhe vijimin e punës me rezultate progresive për 5 prioritetet kyçe.
-Politikanë dhe analistë të ndryshëm gjykojnë për një ngurtësi nga ana e BE-së sa i përket çeljes së negociatave me Shqipërinë duke hedhur hipoteza se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor po trajtohen me dy standarde. Si do t’i përgjigjeshit ju këtyre deklaratave për të cilat theksoj se janë të shumta?
Nuk ka standard të dyfishtë. E di që në të kaluarën rruga drejt BE-së ishte më e lehtë, si në rastin e Bullgarisë apo edhe Rumanisë. Por këto janë raste të jashtëzakonshme të cilat nuk mund të lejojmë që të përsëriten. Qytetarët tanë e bënë të qartë se pa përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm.
-Emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri përmendet disa herë si bashkëpuntor në përgjimet e dy trafikantëve të drogës të cilët po hetohen nga Drejtësia italiane. Prokuroria dhe opozita në Shqipëri kërkoi arrestimin e tij si të implikuar dhe sipas tyre do t’i hapte rrugë hetimit. Ndërkohë nga ana tjetër mazhoranca propozoi masa të tjera por pa i hequr mandatin duke shmangur arrestimin. Si i keni përcjellë këto zhvillime?
I ndoqa këto zhvillime së largu. Kjo e bën të vështirë për mua që ta vlerësoj situatën. Siç kam mësuar, hetimet tashmë janë të mundshme, por jo një arrestim. Nëse kjo është e mjaftueshme apo jo, mendoj se nuk është për mua që të gjykoj. Ky vendim varet nga raporti që prokurori i ka paraqitur komisionit përkatës të parlamentit.
-Në Shqipëri vijon të shtohet prej disa muajsh paniku i rikthimit të vizave. Kjo argumentohet së shumti me faktin se sipas disa raporteve të publikuara në media grupe kriminale shqiptare janë duke dëmtuar rendin dhe sigurinë në vende të ndryshme të BE-së. Sa e rrezikuar është realisht Shqipëria për të dalë nga vendet Shengen?
Unë e di që akuza të tilla ishin pretenduar kryesisht nga Holanda. Këto akuza kanë të bëjnë kryesisht me azilkërkuesit shqiptarë, por unë nuk kam dëgjuar për një kërcënim të përgjithshëm lidhur me mohimin e vizave deri më tani. Unë u informova se pas iniciativës së disa shteteve anëtare të BE-së dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, situata është përmirësuar. Prandaj, unë seriozisht nuk besoj se një masë e tillë do të jetë e nevojshme.
-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar prej homologut Ilir Meta pajisjen e shtetasve të tij me pasaporta shqiptare duke e parë si mënyrë për t’i shpëtuar izolimit për shkak të vizave. Si ka menduar BE që ta zgjidhë këtë situatë? A ka një datë për liberalizimin e vizave?
Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta dha përgjigjen e duhur. Një marrëveshje e tillë nuk do të zgjidhë ndonjë problem në Kosovë por do të krijojë probleme serioze ne Shqipëri. Pavarësisht, pajtohem me kërkesën për liberalizim të vizave me Kosovën. Është koha e duhur. /Intervistoi Andrea Danglli