Një nga këshilltarët e Presidentit amerikan Donald Trump ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për abuzim nga dy ish bashkëshortet e tij.
Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rob Porter tha se këto akuza shokuese janë të pavërteta ndërsa njoftoi dorëheqjen e tij.
Akuzat nga ish bashkëshortet e Rob Porter në fillim u raportuan nga e përditshmja britanike ‘Daily Mail’ dhe përfshijnë eksperienca abuzimi fizik dhe emocional.
Ish gruaja e tij e parë Colbie Holderness tha se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë kishte qënë verbalisht dhe fizikisht abuziv, ndërsa përmendi disa raste ku ish bashkëshorti e kishte goditur në fytyrë gjatë kohës që kishin qënë të martuar.
Ndërkohë ish bashkëshortja e tij e dytë Jennifer Willoughby, e cila ishte e martuar me Porter për katër vite, tha se kishte kërkuar një urdhër mbrojtje ndaj tij në qershor të 2010.
“Daily Mail” gjithashtu raportoi se Rob Porter nuk e kaloi testin e sigurisë për postin e tij në Shtëpinë e Bardhë pasi Byroja Federale e Hetimit intervistoi dy ish bashkëshortet e tij.
Sakaq Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar akoma mbi raportimet se Rob Porter nuk e ka kaluar testin e sigurisë nga FBI.


