Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të marrin hapa konkret kundër Veslit, Haradinajte Thaçit, duke mos përjashtuar as protestat për të kundërshtuar veprimet e pozitës.
Pas largimit nga salla e Kuvendit, Hotu tha sonte në hollin e Kuvendit se shteti i Kosovës është në rrezik nga njerëzit si Veseli, Haradinaj e Thaçi, deri sa e quajti maskaradë seancën e sotme.
“Ne gjatë gjithë ditës kemi qenë në pritje të fillimit të seancës së jashtëzakonshme, të thirrur nga tri grupet parlamentare opozitare, tani jemi në mbrëmje vonë, kjo seancë ende nuk është hapur nga kryetari i Kuvendit, i cili e ka obligim kushtetues dhe sipas rregullues së Kuvendit”, tha Hoti dhe shtoi se kjo sjellje e tij është shkelje e Kushtetutës.
Hoti: Shteti i Kosovës është në rrezik nga bandat kriminale
“Shteti i Kosovës është në rrezik nga bandat kriminale. Shteti i Kosovës është në rrezik nga njerëzit si z. Veseli, z. Haradinaj dhe z. Thaçi. Ne bashkë me kolegët tanë nga LDK dhe nga partitë opozitare, bashkë me qytetarët e Kosovës duhet të mobilizohemi për të ruajtur shtetin e Kosovës nga këto banda kriminale. Këta njerëz e kanë pru shtetin e Kosovës buzë shkatërrimit, me këto politika që po i udhëheqin. Këta tash dëshirojnë të bëjnë ekip negociator për t’i ulë më datë 7 shtator në Bruksel, para hartave, në tavolinë, për të nda shtetin e Kosovës. Këtë nuk do ta lejojmë. Këta njerëz duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë dhe do të ndalen nga LDK, nga njerëzit që mendojnë si LDK dhe nga qytetarët e Kosovës”, tha Hoti.
Sa i përket veprimit të deputetes Teuta Rugova e cila mori pjesë në seancën e pozitës, Hoti u distancua nga qëndrimi i saj., duke pohuar se ajo ka dalë në kundërshtim me qëndrimet e LDK-së.


