Prokuroria maqedonase i kërkoi të martën Gjykatës Themelore në Shkup që të vendosë masën e parburgimit për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjykata e miratoi kërkesën.
Zoti Grubi dhe shtatë persona të tjerë dyshohen për manipulime në “Lotarinë Shtetërore” gjatë kohës kur ai mbante postin e lartë qeveritar. Zoti Grubi ndodhet jashtë shtetit.
Artan Grubi, sipas prokurorisë, ka urdhëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhënien e licencave për disa kompani të lojërave të fatit dhe kazino dhe është përfshirë së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami në prokurimin e manipuluar të paisjeve për Lotarinë. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është mbi 8 milonë euro, sipas njoftimeve të organeve të rendit.
Një ditë më parë, përmes rrjetit Facebook, Artan Grubi bëri të ditur se ndodhej jashtë shtetit në një udhëtim privat, me dokumente të rregullta dhe se do të kthehej në Maqedoninë e Veriut, sapo të përfundonte detyrimet që kishte. Ai bëri thirrje që të mos spekulohej se ishte arratisur.
Hetimet ndaj tij filluan shumë shpejt pasi ish-zëvendëskryeministri Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti u përcaktuan nga Departamenti amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion./VOA


