Java e ardhshme do të jetë vendimtare për fatet e katër politikanëve kosovarë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Ish-udhëheqësit e UÇK do të përballen me aktakuzat për krime lufte dhe zhdukje të kundërshtarëve politikë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Nesër, në orën 11:00 do të jetë paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ndërsa në orën 15:00, do të zhvillohet seanca e parë për Hashim Thaçin. Kadri Veseli do të dalë para gjykatës të martën në oren 15.00.
Ndërkaq të mërkurën në orën 11.00 do të jetë radha e Rexhep Selimit për t’u paraqitur para gjykatësve në Hagë.
Në këto seanca të pandehurit pritet të njihen me akuzat e ngritura ndaj tyre dhe do të vendoset nëse ata do të gjykohen të lirë apo në gjendje arresti
Katër politikanët u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 4 dhe 5 nëntor.