Një natë më parë në Golem, policia e bashkisë Kavajë ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike.
Sot në njoftimin zyrtar për mediat blutë bëjnë me dije se në këtë zonë të bregdetit hoqën 70 komplete me çadra dhe shezlongë.
Operacioni për këtë aksion u kodua ‘Plazh i lirë’.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjektet në bregdet apo nga vetë pushuesit, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Si rezultat i kontrolleve, në plazhin e Golemit, u konstatuan dhe u hoqën 70 komplete me çadra dhe shezlongë që ishin vendosur nga qytetarët, pa lejen përkatëse.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, njoftoi sot policia.


