Nazia Aham 34 vjeç është njëra prej viktimave që humbi jetën në aksidentin tragjik në aksin Levan – Tepelenë mëngjesin e sotëm. 34-vjeçarja është një shtetase franceze. Me origjinë është nga qyteti Rodez i Francës, por jeton në Athinë, Greqi.
Ajo ishte e fejuar me Fisnik D. Muratajn 32 vjeç, i cili po ashtu humbi jetën në aksident. Bashkë me ta në makinë ishte edhe Agustin K. Murataj 30 vjeç, djali i xhaxhait i Fisnik Muratajt. Ky i fundit drejtonte fuoristradën tip Suzuki me targa greke IHZ 1755.
Mjeti humbi kontrollin dhe përfundoi në kanalin me ujë, ku të tre fatkeqësisht u mbytën. Ata ktheheshin nga një dasmë dhe po udhëtonin drejt Greqisë. Viktimat ktheheshin nga dasma e vëllait të Fisnik Muratajt.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshohet se automjeti tip Suzuki është përmbysur në kanal gjatë natës, ndërsa është zbuluar rreth orës 08:10 nga banorë të zonës, të cilët ishin të parët që njoftuan uniformat blu.





