Në aksidentin që ndodhi dy ditë më parë në autostradën Vlorë-Levan ku humbi jetën 23-vjeçarja Anxhela Çapo dhe mbeti e plagosur shoqja e saj Silvana Muho, 22 vjeçe, mësohet se dy vajzat që kanë qenë duke udhëtuar me makinën tip “Hyndai”, lëviznin me një shpejtësi tepër të madhe duke i kaluar 160 km në orë në një kohë që në këtë autostradë limiti maksimal është 90.
Siç duket nga pamjet shoferja është duke luajtur me timonin. Detajet si thonjtë, unaza por edhe një sekuencë tjetër e realizuar pak minuta para ngjarjes nga telefoni i të plagosurës Silvi Muho, konfirmojnë se në timon ka qenë viktima Anxhela Çapo ndërsa pas aksidentit policia ka arrestuar shoqen e saj, 22-vjeçaren Muho, si personi që drejtonte makinën.

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, sipas njoftimit të policisë në orën 19:25 minuta. Ndërkohë që videot e bëra nga vajzat janë në orën 19:22 minuta, pra 3 minuta para përplasjes fatale të makinës me trafikndarësen që ishte vdekjeprurëse për 23-vjeçaren Çapo.

Videot e sjella në “BalkanWeb” nga gazetari Enrik Mehmeti kanë qenë në telefonin e Muhos, e cila është ende në spital në gjendje të rëndë. Makina me të cilën udhëtonin dy shoqet “Hyundai” u shkatërrua plotësisht nga përplasja e fortë.
(Modeli i makinës me të cilin udhëtonin dy shoqet)
NJOFTIMI NGA POLICIA MË 26 JANAR
“Më datë 26.01.2021, rreth orës 19:25, në autostradën Vlorë- Fier, mjeti me drejtuese shtetasen A.Ç., dhe pasagjere shtetasen S. M., 22 vjeçe, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e daljes nga rruga ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesja e mjetit shtetasja A. Ç., dhe është dërguar në spitalin e Vlorës, në gjëndje të rëndë shëndetësore pasagjerja e mjetit shtetasja S.M.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit”, deklaron policia e Vlorës.
NJOFTIMI NGA POLICIA MË 27 JANAR
Vlorë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, nga veprimet hetimore ka rezultuar se në drejtim të mjetit nuk ka qenë shtetasja A. Ç., 23 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje, por ka qenë shtetasja S. M., 22 vjeçe.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i drejtueses së mjetit, shtetases S. M., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë shtetasi A. V., 19 vjeç, pasi më datë 25.01.2021, duke drejtuar automjetin e markës “BMW” është përplasur me automjetin e markës “Benz”, dhe si pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Benz”, shtetasi N. M., 53 vjeç.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




