Prodhuesi amerikan i avionëve Boeing ka pranuar gabimin në Sistemin e Forcimit të Karakteristikave të Manovrimit (MACS) dhe ka pohuar se ka luajtur rol në aksidentet e pësuara nga modeli 737 MAX 8.
I ka kërkuar falje për humbjen e jetëve nga këto aksidente ajrore.
“Kërkojmë falje për jetët e humbura në aksidentet me 737 MAX”, tha drejtuesi ekzekutiv (CEO) Dennis Muilenburg në Tëitter, lidhur me aksidentet e modelit 737 MAX të Ethiopian Airlines të Etiopisë dhe Lion Air të Indonezisë.
Më 10 mars, një avion Boeing 737 Max 8 që po udhëtonte për në Kenia u rrëzua vetëm gjashtë minuta pasi u nis nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Abeba.
Të gjithë 157 personat në bord nga 35 vende të ndryshme, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit, humbën jetën gjatë aksidentit.
Rrëzimi i avionit në Etiopi ishte aksidenti i dytë vdekjeprurës i modelit Boeing 737 MAX në më pak se pesë muaj.
Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i linjës indoneziane Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.
Pas aksidentit fatal në Etiopi, shumë shtete dhe linja ajrore ndaluan fluturimet e modeleve 737-MAX 8 dhe Boeing 737-MAX 9.


