Një aksident tragjik ka ndodhur në Senegal ku 39 njerëz kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy autobuzëve. Presidenti Macky Sall, ka shpallur 3 ditë zie kombëtare dhe ka bërë thirrje për të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë rrugore.
Departamenti i zjarrëfikësve dhe Autoritetet lokale kanë bërë me dije se aksidenti, më vdekjeprurës në vendin e Afrikës Perëndimore në vitet e fundit, ndodhi natën e së dielës rreth orës 03:00 (ora lokale) pranë qytetit Kafrin, rreth 250 kilometra në juglindje të kryeqytetit Dakar.
Qeveria publikoi mbrëmjen e së dielës së kaluar një lajm, në komunitetin Sikilo, ku flitej për 39 të vdekur, 53 të lënduar që janë shtruar dhe po trajtohen në spitale dhe 42 me lëndime të lehta, të cilëve iu ofrua kujdes në qendrat shëndetësore lokale.
Dy autobusët kishin “139 udhëtarë në momentin e aksidentit”, tha qeveria në një njoftim për shtyp.
Më tej, presidenti Sall i cili shkoi për të vizituar pacientët në spitalin Kafrin, shpjegoi se dhjetë nga të lënduarit janë në gjëndje kritike për jetën.
“Më shumë se 20 trupa janë identifikuar dhe së shpejti do t’u dorëzohen familjeve për funeralet e tyre”, tha ai.


