Një aksident i rëndë ka ndodhur sot pasdite në Durrës. Një automjet tip “Audi” ka përplasur një motor ku udhëtonin burrë e grua. Përplasja ka ndodhur në hyrje të qytetit sapo lë një kryqëzim semafori.
Mësohet se “Audi” ka përplasur motorin dhe për shkak të përplasjes së fortë burri ka përfunduar pa ndjenja në rrugë, ndërsa gruaja e larë në gjak ishte ende e vetëdijshme por në gjendje shoku. Ajo dëgjohet teksa rënkon pa pushim, ndërsa kalimtarë të rastit i rrinë pranë.
Ambulanca e parë ka marrë burrin e plagosur rëndë dhe më pas një ambulancë e dytë ka transportuar gruan në spital. Shoferi i makinës që shkaktoi aksidentin ndaloi 100 metra më lart nga vendi i aksidentit dhe u ndalua nga policia. Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka siguruar pamjet e para nga vendi i aksidentit për “BalkanWeb” ku gruaja ndodhet ende në mes të rrugës e ulur dhe e mbuluar nga gjaku.
Dëshmitarët thanë që gruaja sapo kishte dalë nga puna në Universitetin e Durrësit, ku punonte si sanitare. Nuk dihet ende se kush ishte fajtor për aksidentin dhe policia ka nisur hetimet.