Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit Ilir Kolaveri, i cili dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në minierën e kromit në Tërnovë. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së shtunë, teksa 40-vjeçari dyshohet se ka rënë në një furnelë, ndërsa më pas është zënë poshtë nga një masiv minerali.
Ekipet e shpëtimit kanë nisur operacionin menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe vijojnë punën për nxjerrjen e minatorit nga galeritë e minierës. Përpjekjet për lokalizimin dhe shpëtimin e tij vijojnë prej mesditës së së shtunës, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar për fatin e minatorit. Burime bëjnë me dije se miniera e kromit në Tërnovë administrohet nga kompania “Eternal Security”.


