Afganistani sot është “zgjuar” ndryshe, tashmë në dorë të talebanëve. Pasi talebanët kanë marrë vendin nën kontroll, duke “thyer” edhe Kabulin, Afganistani është tashmë në një eksod refugjatësh që po përpiqen të largohen.
Megjithatë në kryeqytet nuk ka më trazira pasi forcat qeveritare janë larguar bashkë me Presidentin Ghani. Pas kësaj talebanët kanë deklaruar se lufta ka mbaruar.
Probleme ka vetëm në aeroportin ndërkombëtar ku bashkangjitur stafeve diplomatike të shteteve perëndimore janë dhe mijëra afganë që po tentojnë të largohen.
Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dje, kur militantët islamikë hynë në kryeqytet, duke thënë se donte të shmangte gjakderdhjen. Pas kësaj qindra afganë tentuan të largoheshin nga aeroporti i Kabulit.
Talebanëve iu desh pak më shumë se një javë për të marrë kontrollin e vendit, pasi spastrimi “rrufe” përfundoi në Kabul me forcat qeveritare, të cilat ndonëse të stërvitura për vite të tëra dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u dorëzuan.


