Në mbledhjen e sotme të komisionit për ekonominë dhe financat u diskutua projektligji për aeroportin e Vlorës.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri si dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.
Sipas ministrit Gjiknuri, kapacitetet e Aeroportit të Rinasit janë të pamjaftueshme në një kohë kur ka dyfishim të kërkesave për fluturime nga vende të ndryshme.
“Ngritja e aeroportit të ri në jug është një investim që do ta marrë konsorciumi turk. Do kemi një rritje ekonomike jashtëzakonisht të madhe,” tha Gjiknuri.
Po ashtu edhe ministri Ahmetaj tha se aeroporti i Vlorës do t’i hapte rrugën një mundësie të re për fluturimet.
“Do i hapim rrugën një mundësie të re për fluturimet. Është bërë një punë e menduar mirë, grupi që ka sjellë propozimin është një nga kompanitë më të mëdha në botë, që ndërton aeroportin e Stambollit. Hyrja në tregun shqiptar e një aeroporti tjetër do sjellë një liri të konkurrencës në këtë sektor. Aeroporti i Vlorës mendohet që në fillesat e veta, do të arrijë në 600 mijë pasagjerë dhe me atë rritje që duket që ka lëvizshmëria, parashikimi që bën kompania është 7% rritje për vit të numrit të pasagjerëve. Duhet të theksojmë që financimi nuk do të bëhet nga shteti shqiptar, por me fondet e kompanisë. Për aeroportin mendohet të investohet 100 mln euro,” u shpreh Ahmetaj.
Të dy ministriat thanë se propozimi është mbështetur në kushtetutë nga ana ligjore, dhe po kërkojmë autorizimin në emër të Republikës së Shqipërisë për interesin e vendit që të nisim negociatat.
UPDATE/ 10:19
Aeroporti i Vlorës/ Ministri i Ekonomisë: 1000 të punësuar të përhershëm
Komisioni i Ligjeve ka në diskutim ditën e sotme pr.ligjin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri do të raportojë për detajet e këtij projektligji.
Sipas Gjiknurit, ky aeroport do të jetë me përfitim të madh ekonomik dhe ndërtimi i tij bëhet në një kohë që nevojat për fluturime janë rritur.
“Vlora do të ketë një aeroport me fitim ekonomik pasi nevojat për fluturime janë rritur. Do të jetë një investim prej 100 milion eurosh dhe tërësisht privat”, ka thënë Gjiknuri.
Mes të tjerash Gjiknuri ka theksuar se ky aeroport do të punësojë të paktën një 1000 punëtorë të përhershëm dhe do të sjellë një interes ekonomik për zonën e Novoselës.
“Kontrata që kemi negociuar do të kalohet në Parlament ditën e enjte”, u shpreh Gjiknuri.
Gjithashtu deputeti i PS në qarkun e Vlorës, Alket Hyseni tha se, “shqiptarët janë ankuar për çmimet, shërbimin dhe largësinë e një aeroporti të vetëm dhe ky aeroport i ri i jep zgjidhje këtyre ankesave”.


