I premtuar, i dëshiruar, i përfolur, i kërkuar por kurrë deri më dje i materializuar. Por me sa duket, nga sot, projekti i aeroportit të Vlorës nuk do të jetë më thjeshtë veç një ëndërr.
Kjo po ti besojmë një statusi entuziast me të cilën Kryeministri Edi Rama e njofton lajmin për jetësimin e asaj që mund të konsiderohet si aeroporti i jugut të Shqipërisë.
Kryeministri ka një detyrim të dyfishtë për mbajtjen e këtij premtimi të bërë gjatë këtyre viteve: Eshe si shefi i qeverisë së Shqipërsië, por edhe si deputet i qarkut të Vlorës prej dy mandatesh rresht.
Ky është statusi i plotë i Kryeministrit në facebookun e tij zyrtar ku jep këtë lajm të rëndësishëm:
“Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës😀Deri në qershor hapja e kantierit👍#Shqipëriaqëduam🇦🇱🇪🇺”
Pritet të shohim në muajt në vazhdim deri në qershor se si do të procedohet dhe se çfarë hapash do të hidhen për të jetësuar idenë e aeroportit të ri kombëtar.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës ishte një nga premtimet e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale të 25 qershorit i cili u rizgjodh deputet në këtë qark.
Aeroporti do ndërtohet nga kompani turke
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e Aeroportit të Vlorës. Sipas propozimit aeroporti mendohet të ndërtohet në zonën e Akernisë. Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction. Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do shqyrtojë aspektet teknike të propozimit dhe ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore.
Kompania turke ka ndërtuar aeroportin e Stambollit
Kompanitë e interesuara për ndërtimin e aeroportit të Vlorës kanë ndërtuar aeroportin e tretë të Stambollit, aeroportin më të madh në Euro-Azi. Aeroporti i Vlorës, do të jetë jo vetëm për udhëtarët, por edhe me kargo.
Kryeministri Rama ka premtuar më herët se një nga linjat që do operojë në Vlorë do ta ketë qendrën në Shqipëri dhe do të operojë me avionë të rinj dhe çmime shumë më të arsyeshme se ato që shqiptarët paguajnë sot. Ndërtimi i këtij aeroporti nuk e përjashton aeroportin e Sarandës, i cili mendohet të jetë një aeroport turistik dhe sipas parashikimeve të ekspertëve, pritet të sjellë një bum turistësh të huaj në plazhet e jugut.
Përgatiti: Alpenews.al



