Është konfirmuar zyrtarisht përmes analizave të ADN-së se trupi i pajetë i gjetur disa ditë më parë në zonën e Cërrunjës i përket 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezultonte i zhdukur që prej datës 4 qershor.
Pas marrjes së përgjigjes përfundimtare nga ekspertët, familjarët kanë nisur procedurat për tërheqjen e trupit nga morgu, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet nesër, ku Eglant Koçi do të përcillet për në banesën e fundit.
Sipas informacioneve të bëra publike, identifikimi u konfirmua 100% nga testet e ADN-së, edhe pse hetuesit kishin krijuar bindjen se trupi i përkiste të riut bazuar në disa elemente identifikuese, përfshirë shenjën e një operacioni, veshjet dhe të dhëna të tjera.
Trupi u gjet në gjendje të avancuar dekompozimi pas afro dy javësh kërkime intensive nga strukturat e Policisë së Shtetit, të mbështetura edhe nga mjete teknologjike dhe forca të tjera të angazhuara në operacion
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Autoritetet dyshojnë se 34-vjeçari ka qenë viktimë e një krimi, ndërsa një person i dyshuar për përfshirje në këtë çështje vijon të jetë në kërkim.



