Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masat “arrest me burg” për 5 zyrtarë të Bashkisë Rrogozhinë të cilët kanë abuzuar me fondet e rindërtimit.
Kërkesa e Prokurorisë është miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për 5 zyrtarët përkatësisht për personin me inicialet M.M, ish-punonjës i Bashkisë Rrogozhinë, Xh.U, aktualisht përgjegjëse e zyrës së Rinisë dhe Sportit Bashkia Rrogozhinë, B.B, punonjës në Bashkinë Rrogozhinë, E.L, ish-punonjës Bashkia Rrogozhinë dhe për E.R, aktualisht specialiste në zyrën e burimeve njerëzore, Bashkia Rrogozhinë.
5 zyrtarët akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit” dhe “Mashtrimit” me fondet e rindërtimit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 353.471.090 lekë.
Gjithashtu, krahas personave të ndaluar, në hetim janë dhe 78 shtetasit të cilët kanë bashkëpunuar për përfitimin e fondeve të rindërtimit. Këta të fundit akuzohen për veprën penale “Mashtrim” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.



