Aborti selektiv me bazë gjinore është një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare, ku që prej vitit 1990 ka 33 mijë vajza të munguara. Madje në Kosovë ky fenomen vijon të jetë shqetësues.
Kjo ishte tema e ditës në emisionin “Shqipëria Live” ku një 30-vjeçare zbuloi se kishte abortuar fëmijën e katërt pasi ishte vajzë, dhe i kishte tre vajza.
Ndërkohë në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte Diola Dosti- nutricioniste ,e cila ka jetuar shumë vite në Kosovë, dhe është nënë e tre vajzave.
Ajo u shpreh se asnjëherë nuk ka patur kërkesë për abort dhe as që i ka shkuar në mend një gjë e tillë, por që fjalët e tjera që i kanë thënë sigurisht që kanë ndikuar në psikologjinë e saj.
“Kërkesë për abort nuk kam patur. Por fjalët e tipit ‘nuk tu desh edhe një vajzë, pse ti bën vetëm vajza. Edhe këto ndikojnë në psikologjinë e gruas”, tha Diola.
Kjo e fundit u shpreh se i kanë kërkuar edhe djalë, por tani është e divorcuar dhe jeton vetëm me tri vajzat e saj.
Diola Dosti shtoi se në Kosovë jo vetëm burrat iu bëjnë presion grave, por edhe gratë bëjnë presion grave të tjera.
“Këtu në Kosovë është më e madhe ky fenomeni për të patur më shumë djem dhe aborti selektiv. Madje në Kosovë ka edhe gra që i bëjnë presion grave. Madje kur lind djem, mblidhen vetëm gratë e fisit dhe shoqërisë për të festuar. Edhe kjo është diskriminim”, tha ajo.


