Ludian Zaimi doli para Gjykatës. Kyçi gojën dhe nuk dha motiv, as arsye!
Nën tronditjen e thellë psikologjike ai ka mundur t’i thotë gjyqtarit të seancës vetëm emër, mbiemër dhe se merrte ilaçe, por nuk ka ditur të shpjegojë se çfarë lloj medikamentesh ishin dhe se për çfarë sëmundjeje përdoreshin. Më herët, kishte mundur t’i thoshte avokatit mbrojtës, një avokat i caktuar kryesisht nga Gjykata se ai i merrte ilaçet për t’u qetësuar dhe se Çaush Saliasin e kishte pasur edhe mik. Por, nuk i ka shpjeguar se pse u thye miqësia e tyre. Po ashtu, as se pse kishte degraduar deri në atë pikë konflikti mes tyre.
Gjykata duke qenë se i pandehuri nuk ka hapur asnjë zë goje për të shpjeguar se çfarë ndodhi mes tyre që ai i mori jetën kolegut të vet, i ka kërkuar Prokurorisë që t’i bëhet kontroll mjekësor për t’i parë gjendjen psikike autorit të sulmit me armë në Komisariatin nr. 3 në Tiranë. Por, sido që ai u la në burg e madje me akuzën e vrasjes me paramendim, pasi Prokuroria ka konkluduar se Ludian Zaimi kishte ardhur me mendjen për ta vrarë atë ditë efektivin e Patrullës së Përgjithshme. Policia e Shtetit hesht sërish për ngjarjen, shkaqet e vrasjes. Po ashtu, si në asnjë rast tjetër, ky dikaster nuk bëri as homazhe për lamtumirën e tij.
MASA E SIGURISË
“A keni marrë qetësues gjatë kësaj kohe”, e pyeti gjyqtari Ludian Zaimin, 25- vjeçarin, i cili qëndroi vetëm 18 muaj në polici dhe doli prej andej si një vrasës i kolegut të tij. I riu me gradën nëninspektor në Policinë e Shtetit, u shfaq i penduar dhe u përgjigj se merrte qetësues, por pa shpjeguar se nga çfarë vuante dhe nëse po trajtohej apo jo për depresion apo ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Sipas të dhënave, mësohet se diagnoza e tij do të caktohet nga një grup ekspertësh pasi Prokuroria ka kërkuar këqyrjen e kartelës së policit, që një vit më parë ishte vizituar te një psikiatër në Tiranë, por që askush nuk dinte gjë. I përshkruar nga kolegët si një tip i mbyllur, 25-vjeçari pretendohet se gjatë muajve të fundit u bullizua nga kolegët më të mëdhenj në moshë. Por, ky konflikt nuk ishte pikasur nga eprorët, ashtu si edhe problemet e shëndetit mendor të tij, ose të paktën kështu u pretendua gjatë hetimeve paraprake. Megjithatë, Ludian Zaimi akuzohet për vrasje me paramendim pasi efektivi i ri e qëlloi kolegun brenda në komisariatin dhe hetimet tregojnë se ai u kujdes që mos të dëmtoheshin kolegët e tjerë që gjendeshin aty, të cilët i paralajmëroi të largoheshin, ndërsa sulmon pa mëshirë Saliasin.
EFEKTIVI I FNSH-SË
Po dje doli para Gjykatës edhe punonjësi i Policisë që plagosi fqinjin e tij në kafe. Ai tha se arma mu shkrep pa dashje dhe se nuk kishte për qëllim t’i bënte keq personit me të cilin po pinte në të njëjtën tavolinë. Para trupës gjykuese, efektivi i FNSH-së, Lutfi Gjyli, 48 vjeç, ka mohuar të kishte asgjë të qëllimshme, por ai në fakt e plagosi fqinjin e tij Murteza Lika, 60 vjeç. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në Kombinat, Tiranë, kur të dy burrat po konsumonin pije alkoolike me njëri-tjetrin. Gjykata ka vendosur të lërë në burg Gjylin, i cili me armën e shërbimit qëlloi Likën, duke i shkaktuar dëmtim në këmbën e majtë. Ai u dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak, ku mori ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, 60-vjeçari Lika vuan nga probleme të shëndetit mendor. Gjyli ishte inspektor policie me detyrë trupë shërbimi në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.