Në intervistën e dhënë sot regjisori Altin Basha ka zbuluar edhe një fakt interesant, që lidhet me njerëzit që drejtojnë protestën kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, por edhe për fytyrën e vërtetë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Ai konfirmoi faktin se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit drejtohet kryekëput nga Partia Demokratike dhe njerëz të lidhur me të. Madje, sipas Bashës, lidhja e drejtuesve të Aleancës me PD është aq e ngushtë, saqë PD-ja flet me zërin e Aleancës. “Prezenca e PD ka qenë shumë e fortë gjatë gjithë historisë së protestës, por tani mendoj se prezenca e tyre është absolute”, thotë regjisori Basha.
Mandej, një nga figurat kryesore të Aleancës është edhe Gjergj Bojaxhi, ish ministër i Ekonomisë në qeverinë e Sali Berishës, si dhe ish kandidat për Bashkinë e Tiranës në 2015. Në intervistën për “Panoramën”, Basha e kornizon Bojaxhiun si një nga drejtuesit kryesorë dhe më aktivë të Aleancës, duke e përmendur disa herë në deklarimet e tij.
“Ne kemi menduar se drejtuesit janë ata persona që dalin atje: Budina, Çeloaliaj, Bojaxhi, zonja avokate, Mirela Jorgji, e cila deri një ditë më parë më lutej që t’i bashkohesha Aleancës”, thotë Basha.
Por, në fakt, ndryshe nga Budina dhe Çeloaliaj, ish zv.ministri i PD, Bojaxhiu nuk ka dalë asnjëherë publikisht të flasë në protestën kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, çka mund të nënkuptojë se ai është organizatori dhe një nga financuesit kryesorë të protestës.
Mediat dhe portalet kanë shkruar shpesh se Gjergj Bojaxhi merret me tregtinë e hidrokarbureve dhe kompania e tij e naftës (Everest Oil) është një ndër kompanitë logjistike me fitimet më të mëdha në Shqipëri.
Altin Basha, nga ana tjetër, e përshkruan Alenacën për Mbrojtjen e Teatrit si një ambient mbytës, ku nuk lejohet mendimi ndryshe, që nuk duan dialog dhe ku mbizotëron shprehja: “O hajdeni këtu, ose jeni palaço dhe nuk jeni artistë”./ Postuar për Tiranapost.al Elisa Bajrami./j/j


