Është caktuar data për rigjykimin ose jo të ish-truprojës së ish-kryeministrit Sali Berisha, Iza Haxhia. Mësohet se Gjykata Penale e Tiranës do të shqyrtojë më 7 qershor kërkesën për rivendosjen në afat të dënimit 25 vite të depozituar nga Izet Haxhia.
Kërkesa për rigjykim e Haxhisë do të shqyrtohet nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili u caktua me short pak ditë më parë. Izet Haxhia ka kërkuar dhe rihapjen e procesit të dosjes “Hajdari”.
Ndërkohë, ‘fati’ i Izet Haxhiës është në duart e një gjyqtari të njohur për opinionin publik. Gjyqtari Besnik Hoxha ka shqyrtuar dosje të bujshme në të kaluarën. Besnik Hoxha ka qenë kryesuesi i trupit gjykues në dosjen e 21 janarit, ku ish- komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe Agim Llupo u shpallën të pafajshëm nga akuza e vrasjes së 4 demonstruesve në protestën e 21 janarit 2011 para kryeministrisë./Report Tv


