Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se logon e PD-së ai dhe grupi i tij e kanë edhe zyrtarisht, por sipas tij është kryeministri Edi Rama që pengon regjistrimin e vendimit të gjykatës dhe krijon pengesa.
Komentet Berisha i bëri gjatë konferencës së përjavshme për gazetarët, ku tha se zgjidhja e vetme për të vendosur kushtetutshmërinë në Shqipëri është revolucioni demokratik.
Berisha tha se PD është në një betejë për jetë a vdekje me monizmin, kjo sipas tij edhe për faj të ish kryedemokratit Lulzim Basha.
“Revolucioni është një lëvizje e fuqishme që e fut në elektroshok regjimin. Ne e kemi logon zyrtarisht. Në çdo ligj të botës ne e kemi logon, sepse ka një vendim gjykate që e njeh. Edi Rama nuk lejon regjistrimin e vendimit të gjykatës. Ne skemi punë me Gjykatën, jemi paqë me gjykatën. Do merremi me Edi Ramën. Gjykata vendos vetëm nëse partia është në harkun kushtetues apo jo. Në çdo vend të botës t’i shkon dhe hap një proces tjetër. Nëse vendosim këtë praktikë, ne rrëzojmë çdo parim gjyqësor. Por jo të bëhesh palë dhe të pengosh regjistrimin e vendimit të gjykatës. Zgjidhja është revolucion. Gjykatësi ka dhënë vendimin dhe ne do i dalim zot ligjit. Rama e ka nisur me kohë, qoftë me fondet, qoftë me takimin me narko-komisarët, të cilëve iu tha mbylleni një sy për drogën. Reagimi ndaj Ramës do të jetë një reagim që ai nuk mund ta imagjinojë. Ne jemi në betejë jeta a vdekje me monzmin, që për fat të keq ka edhe vulën e Bashës”, u shpreh Berisha.
Berisha shtoi gjithashtu se PD do të hapë fushatën për këshilltarët bashkiakë, ku tha se tani janë në fazën e përzgjedhjes së këshilltarëve.
“Opozita shpall fushatën për këshilltarët. Tani ne hyjmë në fazën e përzgjedhjes të këshilltarëve. Do të ketë një përqindje të caktuar nga shoqëria civile. Hapja është konstantja e PD. Ndaj edhe këshilltarë, parlamentarë të qytetarëve s’do jenë vetëm partiakët, anëtarë të PD, por do jenë dhe simpatizantët, shoqëria civile, njerëz që kanë mbrojtur kauza të drejta qytetare. I inkurajoj ata që të paraqesin kandidaturat e tyre për parlamentarë të qeverisjes vendore lokale. Ju bëj thirrje strukturave të PD në propozim të statutit, që të përfshijnë personalitete të shquara nga shoqëria civile”, shtoi Berisha.
Pyetjes nëse do të ketë protesta para zgjedhjeve, Berisha iu përgjigj se ato dhe fushata elektorale ecin paralelisht dhe nuk e pengojnë njëra-tjetrën.
“Fushata elektorale është veças, zgjedhjet janë veças, po ashtu edhe revolucioni. Ecin të papenguar por duke mbështetur edhe njëra-tjetrën”, tha Berisha.


