John Lewis, i cilësuar si një prej ikonave që mbrojti të drejtat civile dhe anëtari i vjetër i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Mësohet se Lewis vuante prej disa kohësh nga kanceri në pankreas, ndaj të cilit humbi edhe betejën.
“Ai e deshi këtë vend aq shumë, saqë e rrezikoi jetën e vet dhe gjakun e vet që ta bënte ashtu si kishte premtuar. Përgjatë dekadave, ai jo vetëm që dha gjithçka nga vetja për kauzën e lirisë dhe drejtësisë, por frymëzoi gjenerata që u përpoqën ta ndiqnin shembullin e tij”, tha përmes një deklarate ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Mes mesazheve të shumta të ngushëllimit për humbjen e aktivistit ishte dhe deklarata e përbashkët e ish-presidentit Bill Clinton dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. “Ne e kemi humbur një gjigant. John Lewis dha gjithçka që pati për ta kthyer premtimin e paplotësuar të Amerikës për barazi dhe drejtësi për të gjithë dhe për të krijuar një vend për ne për të ndërtuar një bashkim më të përsosur së bashku”, thuhet në deklaratë.


