Zani Çaushi tërhiqet nga kërkesa e bërë pak ditë më parë për tu liruar me kusht.
Rreth një orë më parë, në orën 10.00 Zani Çaushi është paraqitur në ambientet e Gjykatës së Korçës ku dhe kishte depozituar kërkesë për tu liruar përmes avokatit të tij, nën masa të rrepta sigurie. Policia ka bllokuar gjithë qarkullimin në zonën përreth Gjykatës.
Mirëpo, kur ka dalë para “Togave të zeza” për të marrë vendimin nëse lirimi me kusht i tij do të aprovohej apo jo, ish-kreu i Bandës së Vlorës është tërhequr.
Pak ditë më parë Zani Çaushi paraqiti kërkesën e tij për të fituar lirinë me kusht, edhe pse është dënuar me burg përjetë, me pretendimin se tashmë është rehabilituar dhe do të nisë një jetë normale. “Jam rehabilituar, kam fëmijë të mitur dhe do të punësohem nëse më lirojnë”, ka thënë Zani Çaushi ndër të tjera në kërkesën e tij.
MË SHUMË PËR ZANI ÇAUSHIN:
Shqipëria ndodhej në prag të një lufte civile. Rënia e firmave piramidale, solli një kaos të madh financiar e social, që degjeneroi deri në shpërthimin e depove të municioneve të ushtrisë e për pasojë çoi në armatosjen e të gjithë popullatës.
Në mungesë të shtetit, në qytetet kryesore të vendit, kontrollin e morën bandat kriminale. Më famëkeqja prej tyre ishte Banda e Çoles, e krijuar në Vlorë në mars 1997, nga Myrteza Çaushi i njohur ndryshe edhe si Zani. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë. Myrteza Çaushi, ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi pasi kishte disa vepra të rënda penale.
Në shkurt 1997, ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat së bashku me disa shokë të tij nga lagja Çole krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet që ka kryer. Në vitin 1999, Zani u dënua me burgim të përjetshëm.


