Shefi i Laboratorit të Mikrobiologjisë dhe pjesëtar i Komitetit Teknik, Andi Koraqi, ka folur për shtimin e rasteve me COVID-19 në vendin tonë, duke u shprehur se do të ishte efikase një mbyllje lokale.
Mjeku, i cili ka qenë edhe vetë i infektuar dhe tashmë është shëruar, tha për Report Tv se mbyllja totale nuk është në asnjë plan të Komitetik Teknik të Ekspertëve.
“Mund të jenë efikase mbylljet lokale që kanë filluar në Europë, siç mund të mbyllet një zonë ose qytet. Mbyllje totale nuk do të ketë, ajo u bë për t’i dhënë kohë sistemit të shëndetësisë”, tha Koraqi.
4 mijë individë personel mjekësor janë testuar pasi duhej grupi më në risk, ku në total janë kryer 8 mijë teste, përkatësisht rreth 200 veta në ditë. 6.3% e personelit mjekësor është prekur nga koronavirusi. Testet realtime janë më të shtrenjta, kurse ato serologjike janë më të lira”, shtoi ai.
Në lidhje me virulencën e COVID-19, e cila sipas disa studimeve ulej me rritjen e temperaturës, ai tha se nuk ishte asgjë e provuar, ishte thjesht një hamendësi e të gjithëve.
“COVID ka pësuar 40 mutacione pikësore që janë të parëndësishme, mutacioni i quajtur D614G që u shfaqen në fund të marsit konsiston në ndryshimin e spikulave sipërfaqësore të virusit që shërbejë për futjen e tij. Virusi ka ndryshuar dhe është rritur trasmetueshmëria, pasi është bërë më i aftë për tu transmetuar. Jemi në një situatë të tillë që jemi duke e njohur virusin s’jemi të aftë që ta sulmojnë, jemi në pozicion mbrojtës, ai është në sulm. Janë 63 vaksina që mendohet se gjysma do të jenë gati në dhjetor, nuk kemi asnjë medikament që ta zhdukë ose ta vrasi në mënyrë indirekte”, tha mjeku.