Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur disa ditë më parë në Kombinat ku u vetëflijuan nënë e bijë Zhaneta dhe Anisa Josifi, përkatësisht 56 dhe 30 vjeçe, me besimin për t’u ringjallur, kurse vajza tjetër u shpëtua në momentet e fundit dhe ndodhet në spital.
Vëllai i Zhaneta Josifit në një intervistë për news 24 tregon detaje të reja, ku thotë se sa herë i shkonte në shtëpi të motrës ato i kanë thënë se Anisa vajza e vetëflijuar që ka qëndruar prej 15 muajsh e vdekur në shtëpi, po lexonte ose po flinte.
“Sa herë kemi shkuar në shtëpi Anisa nuk dilte. Na thoshin Anisa është në shtëpi po lexon e po fle. Nuk na shkonte kurrë mendja për këtë që ndodhi. Në shtëpi nuk kemi ndjerë kurrë erë të rëndë”, ka thënë ai.
Sakaq ai ka treguar dhe momentin kur ka lajmëruar policinë.
“Po kalonte kohë që nuk po kontaktoja me motrën. U detyrova të shkoja në polici. Motra dhe Blerta i thanë policisë jemi në shtëpi”, ka thënë më tej ai.


