Mjeku Pëllumb Pipero thotë se virusi nuk transmetohet përmes ujit, referuar shqetësimit të shumë qyetetarëve që duan të shkojnë në plazh.
“Nëse has në pështymën e dikujt në ujin e detit nuk e merr virusin. Virusi nuk transmetohet përmes ujit. Edhe unë do i bëj pushimet në Dhërmi. Nuk do ikim të gjithë në një kohë. Ka studime që thonë se me ngritjen e temperaturës ulet transmetueshmëria dhe ajo është ulur.
Por shifrat janë shtuar sepse është shtuar transmetueshmëria. Nëse do ishim të hapur në mars, numri do ishte më i lartë. Asnjë nga ne nuk bën dot parashikime. Do ishte mirë të shpëtonim prej opinioneve dhe të merremi me fakte. Në bazë të fakteve që shohim përditë po i themi këto që themi”, tha Pipero në emisionin Provokacija.
Më tej, mjeku i njohur tha se që të shmanget virusi të gjithë duhet të zbatojmë rregullat dhe të ruajmë distancën.
“Pushimet nuk do jenë si një vit më parë. Këtë vit nuk do pushojmë për qefin e dynjasë por për veten, do bëjmë qef më shumë se një vit më parë. Në rast se ruajmë distancat e shmangim virusin. Duhet të shmangen lokalet e natës por duhen zbatuar protokollet me distancë mes çadrave, të mos grumbullohemi në restorant dhe në breg të detit”, u shpreh ai.


