Qeveria mund të rishikojë interesat e kredive për biznesin nëpërmjet garancisë të dytë sovrane.
Në garancinë e dytë sovrane, sipas vendimit të miratuar nga qeveria është parashikuar aplikimi i interesave 5%, kredi që nuk do të përdoreshin jo vetëm për pagat e punonjësve, por edhe për shlyerje të faturave të biznesit, për kapital qarkullues apo për lëndë të parë.
Ministrja e Financave, Anila Denaj u shpreh në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës për lehtësi interesash edhe për garancinë e dytë sovrane.
“Ka pasur oferta për dy garanci sovrane, totali i të cilave konsideron në një shumë prej 26 miliardë lekë gati 260 milionë dollarë, ku sektori financiar, i cili është instrumenti që do të tejçojë dhënien dhe mundësinë e kreditimit qoftë për pagat, ashtu edhe për zgjerimin e aktivitetit, është absolutisht një shumë e konsiderueshme, e cila në përthithje nga sektori bankar nëpërmjet garancisë sovrane të parë 100% dhe subvencion interesash dhe garancisë së dytë me 60%, lehtëson riskun për bankat dhe i jep mundësi atyre që jo vetëm interesat që në rastin e garancisë së parë t’i ketë 0% dhe të dytës të lehtësuara, por edhe të kreditojë nevojat për financimin e gjithë bizneseve”, u shpreh Ministrja Denaj.
Lidhur me me dy paketat e ndihmës dhe dy garancitë sovrane të vëna në dispozicion nga Qeveria, sipas Denajt kanë ndihmuar me mijëra persona dhe biznese. “Sot që flasim nga një total prej 173.000 personash të parashikuar në paketën e dytë janë paguar 163.635 persona me pagën prej 40.000 lekë.”
Qeveria shtyu deri më 20 qershor afatin e aplikimeve për kredi me garancinë sovrane e parë për pagat e sektorit privat të subvencionuara nga shteti. Sipas shifrave të Ministrisë të Financave deri tani kanë aplikuar 712 biznese dhe janë miratuar 462 aplikime me vlerë 5,8 miliard lekë./Monitor


