Kryeministri Rama pas përfundimit të takimit me deputetët e opozitës parlamentare, ka thënë për mediat se ata ndihen të fyer nga liderët e partive që i sollën në Kuvend.
“Unë i mirëkuptoj përfaqësuesit e opozitës, ndihen të përjashtuar, ndihen të fyer për faktin që pasi janë denigruar e janë fyer në mënyrë sistematike nga ata që i sollën në Parlament, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit për parlamentin. Megjithatë, ajo që mendoj se është e rëndësishme është se do vazhdojmë të diskutojmë”, tha Rama.
Më tej, kryeministri u shpreh se në tryezë ka pasur akuza ndaj mazhorancës dhe opozitës për blerje deputetësh për të kaluar Reformën Zgjedhore në Kuvend.
“Më vjen keq që dëgjova në tryezë tentativa për blerje apo influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë dhe në adresën tonë. Por unë i sigurova që ne nuk do shkojmë në rrugën e një zgjidhje ku vetëm do kërkojmë aritmetikën”, shtoi ai.


