Ditën e sotme OFL i ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë Aleksandër Llanajt, i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave”.
Llanaj ka qenë autori i masakrës së 7 prillit të vitit 2015, ku së bashku me dy shokë të tij, Ani Begaj dhe Berti Aliaj kanë vrarë 3 të rinjtë: Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Por si filloi sherri që çoi në vrasjen e tre të rinjve në Vlorë?
Mëngjesin e 7 prillit 2015 në një kazino të Vlorës filloi një sherr mes disa të rinjve, ku sipas Prokurorisë, Haki Rakipi dhe Ardi Veliaj kanë ofenduar dhe rrahur Xhuliano Lutajn.
Pas sherrit Lutaj ka shkuar te shoku i tij Albi Limaj, i cili ka telefonuar Aleksandër Llanajn, ndërsa pak orë më vonë tre të rinjve u janë bashkuar edhe Ani Begaj dhe Berti Aliaj.
Të rinjtë janë nisur me një mjet tip “BMW X5″drejt një lokali në lagjen “Çole”, ku ndodhej grupi tjetër i të rinjve, të cilët kishin dhunuar Xhuliano Lutajn.
Të dyja grupet kanë qenë të armatosur në momentin që filluan të debatonin, ndëtrsa konflikti më pas u kthye fizik dhe deri në përdorimin e armëve.
Nga të shtënat mbetën të vdekur Haki Rakipi, Ardi Velaj dhe Albi Limaj.
Pas ngjarjes së rëndë u arrestuan të gjithë të rinjtë, por në 23 shtator 2015 Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, zbuti masën e sigurisë për Ani Begajn dhe Berti Aliajn nga arrest me burg në detyrim paraqitje.
Prokuroria e Vlorës kërkoi burgim të përjetshëm për të dyshuarin kryesor të tre vrasjeve në lagjen “Çole” të Vlorës, Aleksandër Llanaj. Kurse për dy personat e tjerë të akuzuar, Bertil Alliaj dhe Ani Begajn ka kërkuar nga 35 vjet burg. Përfundimisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë çmon se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj të kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Apelit nuk e aprovoi kërkesën e Prokurorisë, duke dënuar me 35 vjet heqje lirie Aleksandër Llanajn dhe me nga 24.4 vite burg shtetasit Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Që të tre këta persona u shpallën fajtorë për një vrasje të trefishtë të ndodhur në prill të vitit të kaluar në qytetin e Vlorës. Seanca ndaj këtyre shtetasve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe për këtë ata kanë përfituar uljen e dënimit me 1/3-tën.



