Brazili është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi, pasi numri i viktimave ka arritur në 34 mijë.
Qeveria braziliane e ka ndërprerë publikimin e numrit të rasteve të reja të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi, duke bërë që kritikët ta akuzojnë për një përpjekje për të fshehur shifrat e vërteta të virusit.
Kjo erdhi pas disa muajve të kritikave nga ekspertët që thonin se statistikat e Brazilit nuk janë të plota dhe në disa raste të manipuluara, që nënkupton se mund të mos jetë e mundur asnjëherë që merret vesh shkalla e vërtetë e pandemisë në këtë shtet, shkruan “The Guardian”.
Të premten, Ministria e Shëndetësisë mbylli një faqe në internetit ku publikoheshin shifrat ditore, javore dhe mujore të vdekjeve dhe infektimeve në rajonet braziliane.
Të shtunën, faqja u kthye në funksion, por aty nuk ekzistonin më të dhënat për numrin e përgjithshëm të infektimeve për rajone dhe për të gjithë shtetin. Në faqe ishin vetëm rastet për 24 orët e kaluara.
Këshilli i Sekretarëve Shtetërorë të Shëndetësisë ka thënë se do t’i luftojë ndryshimet e bëra nga presidenti Bolsonaro, i cili e ka nënvlerësuar vazhdimisht koronavirusin dhe ka kërkuar që të largohen masat e izolimit.


