Studiuesi dhe historiani Auron Tare, thotë se nuk shkon në protestë sepse sipas tij çështja e Teatrit është bërë thellësisht politike.
Në një intervistë për gazetarin Denis Dyrnjaja, Tare ka thënë se Basha e Kryemadhi që sot shkojnë te Teatri, në 10 vite që kanë qenë në pushtet nuk kanë bërë asgjë as për Teatrin Kombëtar e as për aktorët.
“Unë nuk do të shkoj në protestë, sepse kam parë që çështja e teatrit është bërë thellësisht politike. Njerëz pa kauz. Kjo ja heq vlerën debatit. Sepse po të shikosh, të dy liderët e opozitës kanë qenë 10 vite në pushtet, nuk kanë bërë asgjë për teatrin, as për aktorët, as për godinën, nuk kanë bërë asgjë fare.
Pardje nuk e patë si u rrahën ato njerëzit atje. Edhe shumë njerëz që unë njoh, njerëz të mirë, e donin teatrin dhe e duan, që jam i sigurtë që do të dilnin atje. Në momentin që shikojnë që e gjithë kauza e teatrit po bëhet teatër, nuk shkon njeri. Nuk shkojnë sepse nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar.
Çdo gjë në jetë është politikë. Por unë mendoj që nuk dal dot në një çështje politike, sepse nuk e shikoj që politika ka qenë e ndershme me teatrin. Ato që qëndruan dhe bënë atë pjesën e rezistencës, ato kanë respektin e shumë njerëzve, por jo pjesën e politikës”, u shpreh Auron Tare.


