Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet më të shtrenjta për të blerë shtëpi, referuar kjo të ardhurave që kanë familjet. E thënë më thjeshtë, një apartament në Tiranë është një lloj i shtrenjtë sa një apartament në Paris apo në Vjenë.
“Nëse do të krahasojmë fuqinë blerëse me çmimet e apartamenteve do të shohim se shtëpitë në Tiranë janë një lloj të shtrenjta siç janë në Milano, Vjenë, Romë apo Paris. Sepse kjo matet me sa vjet te duhen ty për të blerë një shtëpi.
Dhe kjo është e matur me një çmim mesatar prej 1200 euro. Nëse do të flasim pastaj për çmimet që kanë arritur kullat që janë 3-4 mijë euro do të duhen shumë më tepër vjet që ta blesh një shtëpi”, tregon Ornela Liperi për Top Story.
“Shqipëria akoma nuk ka atë lloj jetese që mund të ketë Roma, Parisi, Londra e të tjerë. Kosto në raport me atë që fitojnë banorët, me kosto të asaj që kanë ambientet rezidenciale është shumë fish më e lartë.
Pra një parizien që ka një rrogë të lartë, edhe metri katror atje është relativisht i lartë. Ndërkohë që sa vite do i duhet një shqiptari që të blejë një banesë të tij në qendër të Tiranës?!”, tregon Armand Vokshi, arkitekt
“Çmimi i shtëpive në Tiranë për dorën e zotit ose të një rregullatori mbi qeverinë apo edhe mbi atë që quhet oligarki. Nëse ndërhynë ajo dorë të jeni të sigurt që çmimi bie në mënyrë katrostofale 3,4,5 herë. Jo nga çmimi më i shtrenjtë por edhe nga një çmim që është relativisht i pranueshëm në ditët e sotme. Por që s’është real për raportin e mundësive financiare”, tregon Gent Kaprata, urbanist.
“Ka dhe një nonsense këtu te ne po ajo ishte nga varfëria e madhe që patëm dhe nga mungesa e shtëpive normale. Kjo uri e madhe për të krijuar një farë komoditeti bëri që gjithë emigracioni të investonte në banesa. Ishte një gabim shumë i madh. Ata duhet të investonin në atë sektor të ekonomisë që do të sillte fitim, të fitonte lekë e pastaj le të bënte edhe shtëpinë.
Shtëpia nuk të jep gjë, shtëpia vetëm ha. Gjithë kohën do vetëm meremetime, rregullime njërën tjetrën vetëm do lekë nuk të jep lekë. Investimi që në fillim është bërë gabim po flas për njerëzit që i kishin lekët dhe kanë punuar me djersën e ballit nuk po flas për të tjerat”, tregon Luljeta Bozo, inxhiniere ndërtimi.
Çmimet në stratosferë, në kullat e Tiranës shitet një parkim mbi 40 mijë euro dhe një dyqan mbi 1 milion euro
Çmimet shumë të larta për blerjen e banesave, apartamenteve apo garazheve janë në disnivel të lartë me të ardhurat që kanë shqiptarët. Por pavarësisht kësaj vijon të ndërtohet dhe në të njëjtën kohë nuk ka ulje të çmimeve.
“Rritja e çmimeve ka qenë e nxitur nga paraja informale që ka hyrë , nga pastrimi i parave. Tani 200 -300 euro ka qenë e rritur për metër katror thjesht për përdorimin e burimeve të panjohura financiare”, tregon Ornela Liperi.
Po marrim një shembull të thjeshtë për të kuptuar se sa e vështirë është të bëhesh sot pronar i një banese, dyqani apo garazhi. Gjithmonë nëse flasim për njerëz që çdo gjë e kanë fituar konform ligjeve.
Le të shohim një nga çudirat që ndodh në Shqipëri, për të kuptuar se me çmimet që po operohet konkretisht nuk ke interes të blesh.
Kryeqyteti ka problematikë sa i përket parkimit të makinave. Është e vështirë të gjesh parkim dhe nëse disponon një makinë gjëja e parë që të shkon në mendje është të blesh një garazh.
Të blesh një grazhd në një nga zonat e preferuara të Tiranës, kushton 40 mijë euro. Ky është një çmim tërësisht abuziv, që nuk e justifikon blerjen dhe mbi të gjitha nuk ka efiçencë në blerje.
Pra, nëse një qytetar do të paguaj një post parkimi me pagesë mujore, që shkon rreth 10 mijë lekë në muaj, do të duhen mbi 50 vjet për të shlyer investimin e kryer për grazhdin.
Ambiente që jepen për zyra dhe dyqane gjithashtu kanë një çmim shumë të lartë. Edhe nëse je biznes nuk të intereson referuar logjikës ekonomike që të “murosësh” kaq shumë para për të blerë një dyqan. Çmimet e dyqaneve dhe të zyrave në qendrat tregtare janë në shifra marramendëse.
“Pjesa më e madhe e tyre janë me një deri në katër të punësuar, kështu janë rreth 90% e bizneseve. Këto kanë të ardhura minimale dhe janë për mbijetesë, pra kush do ti blejë gjithë këto zyra? Të blesh një zyrë 10 mijë euro metri katror, 100 metra kushtojnë një milionë euro. Dhe nga ana logjike e biznesit nuk shkon. E gjithë kjo fryrje e tregut nuk po justifikohet nga kushtet normale të tregut”, tregon Ornela Liperi.
Nëse sot një biznesmen ka 1 milionë euro me kesh apo me kredi, atëherë përse duhet të investojë në një dyqan 100m2, ndërkohë që me aq para mund të ndërtoj një pallat të tërë.


