Regjisori Edmond Budina thotë se policët bashkiakë iu kanë shkuar tek Teatri Kombëtar, të cilin e mbajnë të zaptuar prej dy vitesh, dhe iu kanë lënë një letër që ta dorëzojnë godinën, pasi tashmë i përket Bashkisë së Tiranës.
Budina thotë se ata janë të gatshëm edhe gjak të derdhin, dhe godinën nuk e dorëzojnë.
“Po i paralajmëroj të mos derdhin gjak. E shikoni se si vijnë në mënyrë të hajdutshme dhe sulmojnë në një moment të papërshtatshëm. Ju e patë në pak minuta ishim të shumtë këtu. Ju bëj thirrje të kini kujdes.
Ruani mendjen. Sepse siç ju ikën juve, mund të na ikë edhe neve. Merrini me hu këta njerëz që vijnë në mënyrë të fshehtë dhe mafioze për të marrë pronën publike.
Ndaj të gjithë shqiptarët të dalin në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Prandaj le të vijnë prapë”, shprehet Budina.
Pas tij foli dhe i vëllai, Robert Budina:
“Ka dy skenarë, për mendimin tim mund të jetë një provokim që këtu të vijë policia, të gjejnë arsye për të na provokuar dhe arrestuar për gjëra të tjera dhe tjetra është që mendojnë realisht se mund ta marrin në administrim këtë pronë.
Nëse nuk ezaurohen të gjithë hapat ligjorë që i kemi bërë me dije më parë, nëse nuk prononcohen faktorët, nuk ka asnjë ngut që kryetari i Bashkisë të kalojë në këtë çmenduri sepse ai po provokon një vrasje, ne nuk bëjmë shaka. Kemi harxhuar 2 vjet e tre muaj këtu, jo për kokëfortësi por e dimë që është mbledhur i gjithë korrupsioni shqiptar”.


