Klinikat dentare u kthyen në shërbim.Rikthimi është shoqëruar me një sërë masash kundër koronavirusit.
Stomatologët duhet të jenë të pajisur me veshje speciale, gjithashtu duhet të bëjnë edhe vizitën paraprake të pacientëve dhe pajisjen e tyre më mjetet mbrojtëse.
Për stomatologen, Elda Ozoni, rikthimi ishte emocionues.
“Është si të kesh fjetur dhe të zgjohesh në një epokë tjetër.”
Gjatë periudhës kur puna e tyre ka qenë e ndaluar, telefonatat e pacientëve kanë qenë të shumta.
“Ka qenë një periudhë që kishte probleme dentare të jashtëzakonshme dhe në momentin që pacientët telefononin ndihej një përgjegjësi morale dhe ndiheshe keq që nuk mund ti shërbeje.”
Prej javësh ky pacient ka kërkuar ndërhyrjen dentare, por ka marrë vetëm këshillim nga mjekja.
“Kam pasur shqetësime, dhimbje. Mezi kemi pritur të hapen dentistët. Kam marrë antibiotikë për qetësim derisa u hapën.”
Kostos së pezullimit të punës i shtohet edhe kostoja e veshjes speciale dhe masave mbrojtëses.
“Kostot janë të mëdha, pothuajse të papërballueshme. Për më tepër që vimë nga një shkëputje dy mujore, përveç shpenzimeve pafund, puna ishte stopuar.Veshja që unë kam tani kushton 40 euro, kostoja fillon që nga termometri që duhet të përdorim.”
Megjithëse është diskutuar edhe për rritje çmimersh, ende nuk është vendosur asgjë.
“Është diskutuar shumë mes kolegësh, ndihet nevoja e një ndryshimi të çmimeve. Por nga ana tjetër është diskutuar dhe pamundësia ekonomike e të gjithë popullatës në këto momente.”
Klinikat dentare do të kryejnë vetëm shërbimet urgjente dhe seancat e lëna pezull që nga peridha para pandemisë.


