Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj ka bërë me dije se nga sot do të rifillojë puna e legalizimeve pranë shërbimeve konsullore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Cakaj informoi se sot kanë rinisur edhe shërbimet konsullore në Përfaqësitë e Shqipërisë në Bruksel, Mynih dhe Selanik.
“E gjithë puna, natyrisht, do të zhvillohet në përputhje me masat e nevojshme që kërkon lufta kundër pandemisë COVID-19 në këtë fazë!”- siguroi Cakaj.
Për më tepër, Cakaj shpjegoi se puna në përfaqësitë e tjera do të fillojë në varësi të masave të hapjes graduale të vendeve përkatëse.
“Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të ndërlidhur objektivat madhore të politikës së jashtme me nevojat ditore të qytetarëve të Shqipërisë!” – përfundoi Cakaj reagimin e tij.


