Teksa prej së hënës priten masa të tjera lehtësuese ndaj qytetarëve, ndërgjegjësimi i këtyre të fundi në Tiranë për të respektuar distancimin social është i një rëndësie të veçantë për të përcaktuar të ardhmen e situatës së pandemisë në vend.
Ndonëse gjatë fundjavës orari I liridaljes për pensionistët ka qenë deri në orën 10, edhe këtë të dielë ata kanë mbushur parkun e liqenit artificial, duke mos respektuar distancimin social. Edhe pse janë kategoria më e rriskuar nga Covid 19, një pjesë të madhe të tyre u mungonin maskat dhe dorezat.
Edhe prindërit me fëmijë, duket se kanë abuzuar me lirinë këtë të diel. Duke shfrytëzuar edhe motin me diell, ata kanë mbushur këndin e lojërave. Nuk mungojnë as ata që festojnë ditëlindjen.
Nëse kurba e infeksionit nuk do të pësojë rritje, atëherë kjo do të jetë fundjava e fundit që i përket vetëm të moshuarve dhe fëmijëve, pasi nuk do të ketë ndalim daljeje për kategoritë e tjera.


