Qëndrimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta pas vendimit të qeverisë për kalimin e pronësisë të godinës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, ka sjellë edhe reagimin e kryebashkiakut Veliaj.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Veliaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me gjendjen e objekteve me vlerë që rrinë brenda institucionit dhe po degradojnë, për shkak të bllokimit të saj.
“Impresionues zelli për ngrehinën prej tallashi me shkrepset e presuara me alga për dopolavoron e kazermave fashiste. Po për kostumet e Ndrek Lucës, bobinat me zërin e Kadri Roshit e dhjetra vlera do reagoni? Kanë 3 vjet që i ha mola e miu sepse zaptuesit tuaj i mbajnë peng!”, shkruan Veliaj.
Meta deklaroi sot se nëse nuk ka reflektim, do të dorëzojë padi tjetër në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Kreut të Shtetit, çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo llogjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.


