Arrestohet një 34-vjeçar i shpallur në kërkim, me precedent të theksuar kriminal, i dënuar për disa vepra penale.
Shtetasi i arrestuar është Edison Canaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vjedhja me dhunë”, “Plagosja e lehte me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”.
Ai është arrestuar në orët e para të ditës së sotme në rrugën “Besim Alla”, ku po tentonte të vidhte një motomjet me qëllim që të largohej.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë marrë informacione se një shtetas i kërkuar po lëvizte në rrugën “Besim Alla”.Bazuar në informacionet e marra, shërbimet e Policisë organizuan punën duke zhvilluar operacionin policor të koduar “Prita”, në kuadër të të cilit u bë rrethimi i zonës ku dyshohej se fshihej dhe mund të lëvizte ky shtetas” – njofton policia
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjithashtu dyshohet se ky shtetas është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre.


