Artan Hakaj një nga të prekurit me Covid 19 ka treguar vështirësitë me të cilat është përballur me njerëzit kur merrnin vesh se ai ishte i infektuar.
Situata më e vështirë për të u bë kur pozitive me Covid rezultoi vajza e tij 8 muajshe dhe gruaja, të cilat ishin infektuar nga ai.
Ai thotë se reagimi i njerëzve është i pakuptimtë, ndërkohë që rezerva shpreh edhe për mediat, pasi sipas tij e kanë zmadhuar rrezikun që vjen nga ky virus.
“Unë vetë e kam deklaruar dhe e kam thënë që jam me koronavirus, pasi kam dashur që ta dinë edhe ata që ndoshta unë nuk i mbaja mend që mund të kem patur ndonjë kontakt me ta, dhe të ruhen. Por rasti nuk është i njëjtë te të tjerët, të paktën fqinjët tanë e kanë marrë më rëndë sesa është.
Nga njëra anë nuk i fajësoj, se edhe mediat kanë bërë të vetën, e kanë bërë gogol, është një grip pak më i fortë se të tjerët, e duke qenë se prej kaq shumë muajsh është bërë gogol, njerëzit sapo ta marrin vesh ikin sikur ky virus të kapërcente 5 metra, dhe të kapte prej një distancë të largët.
Sic më ka ndodhur edhe në hyrje, por unë kam bërë 3 teste, edhe kur kam dalë për ritestim, kam dalë me masa mbrojtëse dhe ndaj e kam bërë publike, që të tjerët ta dinë dhe të ruhen.
Por ndjenja më e rëndë është kur edhe pse ti përpiqesh të ruash maksimalisht distancën, në momentin që befasisht të shohin, reagojnë në një mënyrë sikur sëmundja të transmetohet me rrezatim, me një frikë që për atë që kanë virusin është ndonjëherë irrituese”, tregon Hakaj per emisionin “Rreze Dielli”.
Më tej ai ka theksuar se vajza tetë muajshe dhe gruaja janë konfirmuar me koronavirus një javë pasi ai ishte konfirmuar. Ndërkaq ai shton se në momentin që ato u konfirmuan pozitive, ai e ndiente veten fajtor.
“Edhe vajza tetë muajshe dhe gruaja janë konfirmuar me koronavirus një javë pasi jam konfirmuar edhe unë. Në fakt për këtë kam dalë edhe nga spitali pa u bërë 2 javë qëndrimi atje, kam dalë ditën e tetë, nuk kishte më arsye për të qëndruar në spital.
Sepse unë u hospitalizova, qëndrova në spital me shpresën se nuk ia kam transportuar vajzës dhe gruas, por në momentin që u konfirmuan, ishte shumë e sikletshme që isha unë fajtori që e dija që e kam mbartur virusin dhe e kam transportuar tek ata.
Plus nuk kisha mundësi t’i ndihmoja, ishin momente shumë të vështira për një njeri që i mendon gjërat pak më thellë. Isha unë fajtori i infektimit të tyre dhe as nuk mund t’i ndihmoja. Por njerëzit e afërt më ndihmuan që të furnizonin me ushqime dhe ilace gruan dhe foshnjën 8 muajshe”, thotë Artan Hakaj.


