Sot do të nisë testimi serologjik për mjekët dhe personat e prekur nga Covid 19 që janë të shtruar në spital.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektoi të shtunën laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT, duke thënë se aktualisht janë siguruar 6000 teste serologjike, dhe personat e parë të cilët do ti nënshtrohen janë grupet e riskut.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri. Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë disponibël. E gjithë struktura e laboratorit e çertifikuar dhe është e ngritur për të filluar këtë testim të ri”, tha Manastirliu.
Megjithëse OBSH u shpreh kundër testeve serologjike si një mënyrë për të parandaluar përhapjen e Covid 19, doktoreshë, Vjollca Duro, tha se laboratori në QSUT ofron të gjitha standardet e duhura ndërsa siguroi se për këtë gjë është trajnuar edhe stafi mjekësor.
“Laboratori i QSUT është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare, niveli i dytë i biosigurisë. Stafi është i trajnuar, do të punojnë tre mjekë dhe katër staf teknik laborator”, tha dr. Vjollca Duro.
Faza e dytë e këtyre testimeve pritet të bëhet në popullatë, testime të cilat janë mbështetëse për diagnozën e Covid 19 dhe matjen e nivelit të antitrupave në gjak.
Në një moment të dytë ky laborator në QSUT do të shërbejë edhe për kryerjen edhe të analizave për Covid 19, duke u bërë i dyti në Shqipëri pas atij në ISHP ku po kryhen aktualisht testimet.


