Një zyrtare e lartë e FBI-së për sigurinë kibernetike tha se hakera të qeverive të huaja kanë ndërhyrë në rrjetet e kompanive që kryejnë kërkime për kura të mundshme për COVID-19, sëmundjen e frymëmarrjes nganjëherë fatale që shkakton koronavirusi.
“Ne sigurisht kemi parë veprimtari zbulimi dhe një numër ndërhyrjesh në disa nga këto institucione, veçanërisht ato që e kanë identifikuar publikisht veten se janë duke bërë punë kërkimore për COVID-in“, tha ajo.
Ugoretz tha se është e kuptueshme që institucionet që punojnë për kura premtuese ose një vaksinë të mundshme të lajmërojnë publikisht për punën e tyre.
Sidoqoftë, tha ajo, “ana e trishtë është se kjo i bën ata një objektiv për shtetet e tjera që janë të interesuara të grumbullojnë detaje të sakta rreth asaj që po bëhet dhe ndoshta edhe të vjedhin të dhënat e pronësisë intelektuale nga këto institucione“.
Ugoretz tha se hakerat e mbështetur nga shteti shpesh e kanë patur në shënjestër industrinë bio-farmaceutike, por tha se “sigurisht që kjo është shtuar gjatë kësaj krize”. Ajo nuk i përmendi vendet konkrete.
Ugoretz gjithashtu nuk identifikoi kompanitë e vëna në objektiv të sulmeve. FBI-ja nuk iu përgjigj një emai-il ku kërkoheshin komente të mëtejshme. Reuters/ VOA


