Ministrja e Transportit, Belinda Balluku, ka sqaruar të gjithë qytetarët, që kanë mbetur të bllokuar në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian pas mbylljes së kufijve, për shkak të koronavirusit, dhe që duan të riatdhesohen në atdhe këtë fundjavë.
Ministrja Balluku tha se transporti ajror do të bëhet nga Air Albana, duke nisur nga dita e shtunë, ndërsa është arritur marrëveshja me disa struktura hotelerie në Durrës, që do t’iu shërbejnë personave të kthyer për karantinimin 14-ditor.
“Shqetësimi juaj për procesin e riatdhesimit ka gjetur zgjidhje. Jemi angazhuar për të zgjidhur më gjerë këtë çështje sensitive, duke krijuar një mekanizëm të sigurt për riatdhesimin e studentëve dhe shtresave në nevojë. Duke filluar nga dita e shtunë, Air Albania do të nisë fluturimet nga disa pika të Evropës. Për të plotësuar kushtet e karantinimint kemi arritur marrëveshje me disa struktura hotelerie në Durrës, që kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi. Transporti ajror do të kryhet nga Air Albania. E gjithë kjo paketë, ku përfshihet transporti dhe strukturat e hotelerisë do të rezervohen online me pagesa të arsyeshme”, tha Balluku.


